Religjioni i Frikes

198
0
Share:

Kohëve të fundit po na imponohen pamje të tmerrshme të dhunës, persekutimeve dhe vrasjeve të ndryshme, sa që ekziston rreziku që të mësohemi me to, dhe t`i marrim si diçka e pashmangshme, “normale.” Nuk guxojmë të qëndrojmë duarkryq dhe vetëm të shikojmë në mënyrë pasive, por çdo ngjarje duhet të na nxisë ta lexojmë dhe ta mësojmë porosinë e saj – për jetën.

Siç po e shohim, akte çnjerëzore po incizohen në vendin e ngjarjes së krimeve dhe po vendosen (edhe të pa censuruara) nëpër masmedia. Ato, si duket, e kanë një qëllim të vetëm: për të përçuar mesazhe dramatike te shikuesi. Sipas disa njohësve të fenomenit të terrorizmit, qëllimi kryesor i ekzekutimeve të njerëzve të pafajshëm, është në fakt, përpos kërcënimit dhe tentimit për të futur frikën te shikuesi, dëshira edhe për të bërë aleatë, ithtarë për agjendën e tyre. Aq më tepër tronditemi, kur përçuesit e këtyre mesazheve e bëjnë këtë duke u thirrur “në emër të Zotit.”

Duke pas para sysh këtë, e shoh të nevojshme t`u kushtohet më shumë vëmendje përçuesve të mesazheve, respektivisht predikuesve fetarë, që të rritet vetëdija jonë shoqërore, edhe për rolin e tyre të rëndësishëm. Edhe predikuesit fetarë, iu drejtohen besimtarëve “në emër të Zotit”, por si mësues dhe edukatorë fetarë, duhet ta pyesin vazhdimisht veten nëse fjalët dhe veprat e tyre kanë për qëllim të promovojnë jetën, paqen, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën e të gjithë njerëzve si fëmijë të Zotit. Predikuesit nëpër vende kulti, qofshin ato kisha a xhamia, respektivisht mësuesit e fesë në përgjithësi, të cilët edhe pse mund të kenë qëllime të mira, me vetëdije ose me pavetëdije – sidomos nëse s`e njohin sa duhet psikologjinë e njeriut, me fjalimet e tyre mund të nxisin te dëgjuesit ndjenja që janë kundër paqes dhe jetës, duke korrur kështu fryte që as vetë s`i kanë paramenduar. Këtë po e vërteton, edhe befasia e anëtarëve të disa familjeve që po i dëgjojmë nëpër masmedia, kur thonë. s`po mund ta besojmë që djali ynë, apo bashkëshorti ynë, apo babai ynë, të jetë përfshirë në grupe terroriste që thirren në “luftën e shenjtë.”  E pra, fuqia e fjalës ndikon, e rrëmben njeriun – sidomos atë të riun, për mirë ose për keq! Fjala e thënë apo e shkruar mund të nxitë dhe promovojë jetën, por mund edhe të dëmtojë dhe të shkaktojë vdekjen. Turbullirat që po i hasim dhe nëpër të cilat po kalojmë si shoqëri shqiptare kanë thekshëm karakter shoqëroro-psikologjik.

Këto pengesa burojnë nga botëkuptimet fetare: format, veprimtaritë dhe metodat ekzistuese, por edhe nga ato, që me pa dashje i largojnë njerëzit dhe i shkandullojnë, në vend që t`i tërheqin dhe t`i forcojnë në fe. Frika nga Zoti, i ka rrënjët e thella. Sidomos në të kaluarën, vërejmë se te disa kujdestar shpirtërorë, respektivisht mësues fetarë, frika nga Zoti ka qenë fuqia kryesore edukuese fetare. Kështu, edhe me pa dashje, njeriut i është nxitur përshtypja, se feja është “religjion i frikës.” Shumë njerëz, në të kaluarën, e kanë përdorur frikën me qëllim edukimin e fëmijëve. Megjithatë, frika është mjet edukimi me dy kuptime, veçanërisht nëse kemi të bëjmë me edukatën dhe udhëheqjen fetare. Edhe frika vetvetiu mund të përmbajë një bërthamë të vërtetë religjioze. Ndjenja e panjohur, njëfarë frike e pashprehshme që njeriun e përshkon me rrëqethje mbi dukuritë e madhërishme në natyrë, p.sh. kur bubullon dhe shkrep vetëtima, kur zjarri qet flakë, kur mbi det mbretëron stuhia etj., padyshim bën pjesë në ndjenjat më elementare që ia tërheqin vëmendjen njeriut për ekzistimin e qenies mbinatyrore, mbi-botërore të Zotit. Për këtë arsye, edhe kjo frikë, mund të ketë karakter të vërtetë fetar.

Në fenë e krishterë, pjesa e parë e Biblës që quhet “Besëlidhja e Vjetër” është plot me këso motivesh. Por, edhe për nga qëndrimi i përgjithshëm edukues nevojitet frika (te të rinjtë), dhe mund të jetë e dobishme, nganjëherë madje edhe natyrshëm e nevojshme, kur mjetet tjera dështojnë. Megjithatë, duhet qenë të vetëdijshëm, se frika assesi nuk është ndjenja më e lartësuar dhe e pavarur fetare, dhe se bën pjesë në motivet e vlefshme nga më të ulëtat, nga ana etike nga më të voglat e veprave të mira. I gjithë angazhimi i edukimit, duhet shkuar në drejtim, që njeriu të ngrihet mbi frikën e kulluar, se nuk është i ndershëm vetëm për shkak të frikës para ndëshkimit, por nga motivi nga më i pastërti, se e mira është vetëm e mirë, kurse e keqja vetëm e keqe.

Vështruar nga këndi fetar, kjo do të thotë: njeriu bën mirë për shkak të mirës më të lartë të Zotit dhe se i ruhet mëkatit për arsye se, me mëkat do ta ofendonte Mirësinë e pamasë të Zotit. Me fjalë të tjera, se gjithçka bën, bën vetëm për dashurinë më të pastër ndaj burimit të çdo të mire, ndaj vetë Zotit.

Në Kishën katolike ndër shqiptarë, për të shmangur keqkuptimin e “frikës së Tenzot” është futur termi “druajtja e Hyjit.” Qëllimi është për ta bërë dallimin midis “frikës nga Zoti” dhe “druajtjes së Zotit.” Kjo e fundit, që mund të përkthehet edhe “respekti ndaj Zotit”, konsiderohet virtyt – renditet në njërën prej dhuratave të Shpirtit Shenjt. Nëse kujdestari shpirtëror nuk e drejton veprën e vet kah ky qëllim i lartë, dhe tepër flet për “ferrin” dhe ndëshkimet e amshuara, kurse Zoti u paraqitet njerëzve me bubullima dhe vetëtima, atëherë mund të ndodhë, që një hoxhë a një prift i tillë mund të shkaktojë te njerëzit një krizë të dyfishtë fetare.

Në rend të parë, shumë vetë “shkandullohen” ndaj një të kuptuari të tillë të religjionit. Veçanërisht fanatikët e së vërtetës dhe në përgjithësi intelektualët të cilët e njohin idealin e autonomisë morale të Kantit (që të bësh mirë vetëm për arsye pse është e mirë, dhe jo për shkak se është e urdhëruar apo ndoshta edhe me ndëshkim e sanksionuar) te një religjion të tillë shohin një fe më pak të vlefshme, kështu më mirë “e zbatojnë” një të tyren e cila është “më e plotë”.

E dyta, veçanërisht tek të rinjtë në zhvillim feja ngjallë asociacione dhe bashkohet me ndjenjat e pakëndshme, të errëta, të pa lakmueshme. Në fe s`gjejnë asgjë që nxit gëzimin, asgjë ri-gjallëruese, çfarë do të ngrite dhe çlironte fuqi të reja. Edhe disa imazhe nëpër vende kulti në vend që të jenë simbole të të mistershmes, ato në fakt janë të mbushura me shpirtra të ndytë që rrudhin sytë, përballë një Zoti të tmerrshëm, të zemërimit dhe të drejtësisë. Për këtë arsye, është e kuptueshme se dogma e parë të cilën njeriu i frikësuar e refuzon, është mësimi për ferrin. Nuk është për t`u çuditur që një njeri i tillë, çlirohet vetëm atëherë, nëse në një moment i zbulohet fshehtësia: nuk ka Zot, nuk ka ferr, je i lirë, mund ta kënaqësh jetën papengueshëm. Për mëkatet dhe kënaqësitë nuk do të duhet të kryesh pendesën e amshuar. Për këtë arsye, nuk është vetëm psikologjikisht, por edhe dogmatikisht, shikuar nga ana baritore, shumë më korrekte nëse kujdestari shpirtëror, mësuesi fetar, theksin kryesor të mësimeve dhe thënieve të tij e vendos duke i drejtuar te nxitjet fetare në misterin e bijësisë në Zotin, sipas të cilit jemi pjesëtarë të jetës së Zotit: miq, fëmijë të Hyjit, trashëgimtarë të qiellit, të çliruar nga robëria e mëkatit, vdekjes së amshuar dhe ferrit. Natyrisht, se nuk do të hesht edhe për anët negative, d.m.th., nxitjet e frikës, por kjo s`guxon të jetë në rend të parë, nëse dëshiron ta paraqesë fenë në dritën e vërtetë, të plotë, që ai të jetë tërheqës dhe simpatik, edhe për njeriun e ri, dhe që tregohet shumë i vlefshëm edhe për “fanatikun” më të pastër “të së vërtetës.”

 

P. Shtjefën DODES SJ

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.