RISIA QË NA PROPOZOHET PREJ HYJIT

963
0
Share:

Shumë të dashur besimtarë,

E kremtja e Krishtlindjes, që gjendet në përfundim të vitit civil dhe në fillim të atij liturgjik, ka detyrën e dyfishtë të përmbushjes dhe të fillimit të një jete të re.

“Përmbushjes”, sepse bart në vete pasuritë që Zoti na ka dhuruar si të krishterë në këtë tokë shqiptare me shenjtërimin e Nënë Terezës, Lumnimi  i Martirëve tanë dhe krijimin e një kardinali në personin e Dom Ernest Simonit (Troshanit).

“Fillimit të një jete të re”, sepse viti që po përfundon ka pasur edhe anët e veta negative që nuk mund të vazhdojnë të mbeten të tilla, por duhet patjetër t’i hapen risisë që kujtimi i lindjes së Zotit Jezus mund të sjellë në jetën e secilit, të bashkësive të krishtera dhe të asaj civile.

Risia që na propozohet prej Hyjit përbëhet në themel prej një qëndrimi të ri që duhet të mbajmë përballë jetës sonë personale dhe asaj bashkësiore e shoqërore, i njëjti qëndrim që merret kur lind një fëmijë: mahnitje, gëzim, mirëpritje, dhurim.

Qëndrimi i “mahnitjes” na ndihmon të destabilizohemi, pikërisht siç do të ndodhte përballë diçkaje të papritur: nuk mund të vazhdojmë të jetojmë e të përballemi me ngjarjet në mënyrë sipërfaqësore.

Nëse u afrohemi situatave tona të jetës dhe personave që takojmë ashtu siç i afrohemi një gjëje të re, me mahnitje, ja që gjithçka ndryshon: do të lejojmë të na bëjë thirrje ajo ngjarje apo ai person dhe do të jemi më të gatshëm për të dhënë përgjigjen tonë në termat e angazhimit konkret. Në atë Fëmijë të Betlehemit realizohet premtimi i Hyjit: “Ja, po bëj një gjë të re!” (Is 43,19).

Ndiejmë nevojën për risi, sidomos përballë situatave të rënda që nuk i pëlqejnë askujt dhe përballë të cilave provojmë një ndjenjë pafuqie. Zoti dëshiron të bëjë për ne “një gjë të re”; pyetja është: po ne a e duam këtë?

Qëndrimi i “gëzimit” i jep jetës një shije të re dhe na jep mundësinë që të dalim prej formave depresive që e dëmtojnë në thellësi qenien tonë dhe veprimin tonë. Pikërisht si atëherë kur lind një fëmijë, çdo rrethanë, edhe ajo më negative, mund të përballohet me gëzim, duke pranuar aspektet pozitive dhe mundësitë që krijohen prej saj.

Pa dyshim, duhet një fe e madhe për të marrë këtë qëndrim edhe përballë vështirësive, si dhe njëfarë doze shprese, pa të cilat nuk do të mund të arrijë kurrë një jetë e re. Fëmija Jezus realizon profecinë e Isaisë: “Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë” (Is 9, 1-2).

Për ne besimtarët në Krishtin vetëdija se jemi liruar tashmë prej së keqes mund dhe duhet të na hapë ndaj gëzimit; mund dhe duhet të na nxisë në shpresën për të banuar në histori dhe për të ndërtuar kështu të ardhmen së bashku me Atë që është Zoti ynë dhe Shpëtimtari ynë.

Qëndrimi i “mirëpritjes” shoqërohet me atë të “dhurimit”. Një fëmijë që lind kërkon që të mirëpritet dhe kërkon po ashtu vëmendje e kujdes. Papa Françesku është duke na nxitur vazhdimisht që të kemi kujdes për “shtëpinë e përbashkët” që është bota e krijuar dhe, së bashku me botën e krijuar, për të gjitha ato situata që kërkojnë të drejtën që të trajtohen me ndjenjë përgjegjësie sepse na përkasin.

Një i krishterë nuk mund të mbetet indiferent përballë padrejtësive shoqërore, përballë korrupsionit që konsumohet në shumë mjedise: institucionale, gjyqësore, shkollore, shëndetësore, përballë bashkëpunimit në krim, përballë ikjes së burimeve dhe energjive më të mira të vendit që janë të rinjtë tanë.

Në të vërtetë, një i krishterë ka detyrën që të gjitha këtyre t’u kundërvihet me veprimin e vet të paditjes së guximshme të së keqes në të gjitha nivelet, duke nisur nga ai familjar për të arritur tek ai institucional. Por edhe më shumë, një i krishterë ka detyrën t’u largohet të gjitha këtyre gjërave sepse ato janë mëkate të vërteta kundër Hyjit.

Pra, mirëpritja e dhurimi kërkojnë një ndërgjegje të drejtë, një aftësi të mirë leximi të realitetit dhe një angazhim konkret në të gjitha fushat e jetës personale, bashkësiore e shoqërore, duke sjellë ndihmesën e vet. Le t’i lejojmë Fëmijës Jezus që të përdorë inteligjencën tonë, zemrën tonë dhe duart tona punëtore për të qenë ende edhe sot ai për të cilin flet psalmi 72, 4-7: “Ai do t’i gjykojë të vobektët e popullit, do t’i shpëtojë bijtë e skamnorit do ta përulë shpifësin. Ai do të jetojë sa dielli e hëna, nga breznia në brezni. Do të zbresë porsi vesa mbi bar, porsi shiu që e lag tokën. Në ditët e tija do të lulëzojë drejtësia dhe paqe e madhe derisa të jetë hëna”.

Shumë të dashur të krishterë, si bari i juaji, dëshiroj me gjithë zemër të mirën tuaj si dhe të mirën e kësaj toke ku jemi të thirrur të jemi kripë e dritë. Në këto ditë jemi duke kujtuar Krishtin dhe risinë e jetës së tij që Lindja e tij ka sjellë në botë. Pagëzimi që kemi marrë na aftëson të jemi prani e Krishtit në këtë botën tonë: na takon neve ta jetojmë personalisht dhe ta çojmë në të gjitha fushat ku jetojmë e veprojmë atë risi jete që bota pret prej nesh.

Pra, urimi që u drejtoj të gjithëve dhe secilit për këto festa është ai që të jeni ajo që ju është dhuruar: prani e gjallë e Krishtit, sy që shkëlqejnë prej mahnitjes, fytyra të hapura ndaj gëzimit, zemra të zbrazëta të gatshme për të mirëpritur e për të marrë përsipër të afërmin dhe situatat, duar të hapura dhe të gatshme për dhurimin e vetvetes.

Së bashku me urimin tim edhe bekimi im. Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.

 

+ Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit

President i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare

 

 

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.