Shenjtëria është ideali i përditshem që duhet të ushqejë përjetësinë tonë

843
0
Share:

Pas një jave historike dhe kulmore si besimtarë, sot është një ditë falënderimi për bijën e këtij populli, e cila tashme renditet në listën e shenjtëreve të Kishës së gjithmbarshme. Kemi përjetuar së bashku nga shën Pjetri fjalët e papa Franceskut tek shpallte “shenjte” e secili nga ne, brenda nesh ka ndjere krenarinë por edhe butësinë Hyjnore, premtimin se kushdo do ta jap jetën për Të, s’do ta bjerrë por përkundrazi do ta fitojë. Do të fitojë jo vetëm jetën tokësore por do të fitojë jetën e pambarume, qëllimin e ekzistencës.
Nënë Tereza ose shën Tereza e Kalkutës, imazhin e së cilës e kemi të ekspozume këtu por këto ditë në të katër anët, e arriti shenjtërinë fale angazhimit personal por edhe fale Mëshirës së Zotit. Janë këto dy mekanizma të cilat edhe pse të ndarë bashkëveprojnë dhe njehsohen së bashku, saqë vjen ai moment kur Zoti të bën “ si vetën të Mëshirshëm”, ose kushdo e prek Mëshirën e Zotit, s’mund të jetë si më përpara, s’mund të kthehet në indiferentizëm.
Provania Hyjnore, permes leximeve të kësaj të diele te 24 gjatë vitit, na e bën shumë më komode festën e falënderimit pasi na tregon përmbajtjen e vete Zotit, por edhe sesi rruga e shenjtërisë nuk është oratori, por zgjedhje personale, përkrah sëcilës ecën gjithmonë Mëshira e Zotit.
Në leximin e parë të marrë nga libri i Daljes, na paraqitet Zoti që e therret Moisiun duke ju drejtuar “ Shpejt Zbrit Poshtë, pasi populli që e kam nxjerre nga robëria, u prish. Cfarë s’kishte bërë Zoti për popullin?! Për 40 vite permes Moisiut; e kishte mbrojtur, i kishte treguar fytyrën e vet dhe populli po ja kthente Zotit “nderen” duke adhuruar një vic të argjende. Zoti që zhgenjehet me të drejtë me popullin, populli që tregon pabesnikërinë por edhe pamirenjohjen e vet që shkon deri ne limitet e kryneçesisë. Dhe këtu hyn në mes të historisë figura e Moisiut që i lutet Zotit mos ta shkatërroje popullin. Të dashur besimtarë, një zemër e përvujte, një zemër që lutet, e zbut edhe zemërimin e Zotit, sepse në fund të fundit Zoti është i mëshirshëm dhe drejtësia e tij është e mëshirshme.
Për ta vertetuar këtë, mjafton vetëm të ndalemi tek historia e popullit tonë. Për 50 vite, Zotin u munduan ta zhdukin nga realiteti i jetës, i shkatërruan shtëpitë, i vrane njerzit, të zgjedhurit e vet, dhe ja pikërisht në këtë vit mëshire, Zoti është kaq afër me ne, pasi shenjtëroi Nënën Terëzen, vetëm disa muaj më vonë, 38 martirët do ti pranoje në gjirin e vet.
Ungjilli i ditës së sotme i marre nga ungjilltari Lukë, pa medyshje është një nder pjesët ma të bukura të ungjitë. Simbolika e perdorur përmes 3 shëmbelltyrave na përfshin secilin në realitetin e raporteve midis zotit dhe njeriut.

Në shembelltyren e parë na paraqitet një burrë, një bari, që ka humbur një dele dhe i lë të 99 për të kërkuar delen e humbur.
Shembelltyra e dytë është ajo e gruas që s’ndalet së kërkuari monedhen e humbur, e kur e gjen, bën festë.
Ndërsa shëmbelltyra e tretë, djali që largohet nga babai drejt kërkimit të kënaqësisë dhe përfundon duke ju lutur babait të jetë, jo më bir i familjes por Shërbëtor. I Ati përkundrazi e pranon dhe për kthimin e tij bën një festë të madhe.
Tani të ndalemi një moment dhe të kerkojmë të kuptojmë se cila është kryefjala, ose kuptimi që i lidh së bashku shëmbëlltyrat me leximet por edhe me festën e falenderimit?
Përgjigjja është Mëshira. Në fund të cdo shembelltyre është gëzimi për delen e humbur, lumturia për monedhen e gjetur, festa për djalin e humbur… sa herë ngushtohemi në mendime e ne vizion sa mendojmë se Zoti është diku lart në qiell, larg nga vendi jonë i punes, larg nga familja jonë, larg nga mendimet tona egoiste, sepse figura e Zotit, imazhi i Zotit është abstraksion i qiellit. Këtu qëndron edhe problemi yne…
Zoti është tek fëmija i uritur, tek punëtori i dhunuari, tek i gerbuli, Zoti është kudo… e në qoftëse kërkojmë ta kemi si në foto, t’i vendosim një kornizë meshire, me siguri do të kete fytyrën e Nënë Terezës, Misionares së Mëshirës.
Kushdo e ka takuar Nënë Terezën, ka pësuar një ndryshim jetësor, takimi me Te ka qënë akt feje, ka fol edhe pafolur përmes syve shpresëdhenes e buzëqeshjes shume gjuheshe. Një gazetar italian, mjaft kritik ndaj kishës, por që ndryshon qasje shkruan për Nene Terezen: Kur ndokush e takonte Nenë Terezen, edhe sikur mos t’i fliste, e bente të turpërohej me egoizmin e vet.
Nënë tereza është sherbetorja qe e kuptoi etjen e Jezusit, shkoi për ta gjetur në rruget humbura, në varfërinë e paprekur, shkoi për të shuar etjen e njërzve të pushtetshëm por që janë robër të unit të tyre. Hapi horizontin e dashurisë e mëshirës si i vetmi pushtet që fiton.
Cdo gjë që e bëri, e beri sepse e la Zotin me vepru, e kuptoi se Zoti është fëmija që duhet veshur, personi që duhet dashur…
Sa herë e kam menduar këtë jave, edhe gjatë meshës në Shën Pjetër, cfarë është në gjendje të bëjë një njeri brenda të cilit jeton Zoti?! Së pari bëhet shenjt dhe është shenjë e Zotit në tokë.
Bashkë më falenderimet për jetën e Nënë Terezës, për shenjtërinë e saj, për shembullin e saj, të angazhohemi për ta cuar tutje vepren e Saj, e mos te hjekim dore nga shenjtëria… Shenjtëria është ideali i përditshem që duhet të ushqejë përjetësinë tonë, sepse gëzimi i Zotit për një mekatar që kthehet është pambarimisht i madhe.

– Dom Artur Jaku

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.