Të kemi mëshirë për shtëpinë tonë të përbashkët

525
0
Share:

Të kemi mëshirë për shtëpinë tonë të përbashkët
Në bashkim me vëllezërit e motrat ortodokse, si dhe në bashkim me Kisha e Bashkësi të tjera të krishtera, Kisha Katolike kremton sot si çdo vit “Ditën botërore të lutjes për kujdesin ndaj botës së krijuar”. Ky rast synon t’u japë “besimtarëve si dhe bashkësive mundësinë e çmueshme për të përtërirë bashkimin personal me thirrjen e tyre si rojtarë të botës së krijuar, duke lartësuar drejt Hyjit falënderimin për veprën e mrekullueshme që Ai i ka besuar përkujdesjes sonë, duke kërkuar lutjen e tij për mbrojtjen e botës së krijuar dhe mëshirën e tij për mëkatet e bëra kundër botës në të cilën jetojmë” .
Është shumë nxitëse që shqetësimi për të ardhmen e planetit tonë të bashkëndahet prej Kishave dhe Bashkësive të krishtera së bashku me besime të tjera. Në të vërtetë, në vitet e fundit, shumë nisma janë ndërmarrë prej autoriteteve fetare dhe organizatave për të sensibilizuar më shumë opinionin publik në lidhje me rreziqet e shfrytëzimit të papërgjegjshëm të planetit. Do të doja të përmendja këtu Patriarkun Bartolomeu dhe paraardhësin e tij Dimitrios, që për shumë vjet janë shprehur vazhdimisht kundër mëkatit të dëmtimit të botës së krijuar, duke tërhequr vëmendjen mbi krizën morale dhe shpirtërore që gjendet në bazën e problemeve mjedisore dhe të degradimit. Duke iu përgjigjur vëmendjes në rritje për integritetin e botës së krijuar, Asambleja e Tretë Ekumenike Europiane (Sibiu, 2007) propozonte të kremtohej një “Kohë për Botën e krijuar” me kohëzgjatje pesëjavore mes 1 shtatorit (përkujtimi ortodoks i krijimit hyjnor) dhe 4 tetorit (përkujtimi i Françeskut të Asizit në Kishën Katolike dhe në disa tradita të tjera perëndimore). Nga ai moment, kjo nismë, me mbështetjen e Këshillit Botëror të Kishave, ka frymëzuar edhe veprimtari të tjera ekumenike në anë të ndryshme të botës. Duhet të jetë edhe një arsye gëzimi fakti se në të gjithë botën nisma të tilla, që nxisin drejtësinë mjedisore, kujdesi ndaj të varfërve dhe angazhimi i përgjegjshëm ndaj shoqërisë, janë duke bërë të takohen persona, sidomos të rinj, të konteksteve të ndryshme fetare. Të krishterë dhe jo të krishterë, persona të fesë dhe vullnetmirë, duhet të jemi të bashkuar për të dëftuar mëshirë ndaj shtëpisë sonë të përbashkët – tokës – dhe për ta vlerësuar plotësisht botën në të cilën jetojmë si vend i bashkëndarjes dhe i bashkimit.
1. Toka bërtet…
Me këtë Mesazh, përtërij dialogun me çdo person që banon në këtë planet në lidhje me vuajtjet që mundojnë të varfrit dhe shkatërrimin e mjedisit. Hyji na ka dhuruar një kopsht të lulëzuar, por ne jemi duke e shndërruar atë në një hapësirë të ndotur “rrënojash, shkretish dhe ndyrësire” (Enc. Ti qofsh lëvduar, 161). Nuk mund të dorëzohemi apo të jemi mospërfillës ndaj humbjes së biodiversitetit dhe ndaj shkatërrimit të ekosistemeve, shpesh të shkaktuara nga sjelljet tona të papërgjegjshme dhe egoiste. “Për fajin tonë, mijëra specie nuk do t’i japin lavdi Hyjit me ekzistencën e tyre dhe as do të mund të na komunikojnë mesazhin e tyre. Nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë” (ibid., 33).
Planeti vazhdon të ngrohet, pjesërisht për shkak të veprimtarisë njerëzore: viti 2015 ka qenë viti më i nxehtë i shënuar ndonjëherë dhe ndoshta 2016 do të jetë edhe më shumë. Kjo shkakton thatësirë, përmbytje, zjarre dhe ngjarje metereologjike të skajshme dhe gjithnjë e më të rënda. Ndryshimet klimatike ndihmojnë edhe në krizën e mundimshme të migrantëve të detyruar. Të varfrit e botës, që gjithsesi janë më pak të përgjegjshmit për ndryshimet klimatike, janë më të prekshmit dhe tashmë janë duke pësuar efektet e tyre.
Sikurse vë në dukje ekologjia integrale, qeniet njerëzore janë thellësisht të lidhura me njëra-tjetrën dhe me botën e krijuar në tërësinë e saj. Kur keqtrajtojmë natyrën, keqtrajtojmë edhe qeniet njerëzore. Në të njëjtën kohë, çdo krijesë ka vlerën e vet që duhet të respektohet. Le ta dëgjojmë “si britmën e tokës ashtu edhe britmën e të varfërve” (ibid., 49), dhe le të përpiqemi të kuptojmë me kujdes se si të mund të sigurojmë një përgjigje të përshtatshme dhe në kohën e duhur.
2. … sepse kemi mëkatuar
Hyji na e ka dhuruar tokën për ta punuar dhe për ta ruajtur atë (krh. Zan 2,15) me respekt dhe ekuilibër. Ta punojmë “tepër” – pra duke e shfrytëzuar atë në mënyrë miope dhe egoiste –, dhe ta ruajmë pak, është mëkat.
Me guxim, Patriarku i dashur Ekumenik Bartolomeu vazhdimisht dhe në mënyrë profetike ka vënë në dukje mëkatet tona kundër botës së krijuar: “Që qeniet njerëzore po shkatërrojnë larminë biologjike në krijimin e Hyjit; që qeniet njerëzore po dëmtojnë integritetin e tokës dhe po ndihmojnë në ndryshimin klimatik, duke e zhveshur tokën prej pyjeve të veta natyrore ose duke shkatërruar zonat e lagështa; që qeniet njerëzore po ndotin ujërat, tokën, ajrin: të gjitha këto janë mëkate”. Në të vërtetë, “një krim kundër natyrës është një krim kundër vetvetes dhe një mëkat kundër Hyjit”.
Përballë asaj që po i ndodh shtëpisë sonë, Jubileu i Mëshirës i thirrtë besimtarët e krishterë “në një kthim të thellë të brendshëm” (Enc. Ti qofsh lëvduar, 217), të mbështetur në mënyrë të veçantë prej sakramentit të Pendimit. Në këtë Vit Jubilar, le të mësojmë të kërkojmë mëshirën e Hyjit për mëkatet kundër botës së krijuar që deri tani kemi ditur të pranojmë dhe të rrëfejmë; dhe le të angazhohemi që të bëjmë hapa konkretë në rrugën e kthimit ekologjik, që kërkon një ndërgjegjësim të qartë për përgjegjësinë tonë ndaj vetvetes, ndaj të afërmit, ndaj botës së krijuar dhe ndaj Krijuesit (krh. ibid., 10; 229).
3. Shqyrtim i ndërgjegjes dhe pendim
Hapi i parë në këtë ecje është gjithmonë një shqyrtim i ndërgjegjes, që “kërkon mirënjohje dhe dhurim falas, domethënë një njohje të botës si dhuratë të marrë prej dashurisë së Atit, që si rrjedhojë shkakton gjendje shpirtërore të dhurimit falas, të vetëmohimit dhe gjeste bujare […]. Kërkon edhe vetëdijen plot dashuri se nuk jemi të ndarë prej krijesave të tjera, por se formojmë me qeniet e tjera të gjithësisë një bashkim të mrekullueshëm universal. Për besimtarin, bota nuk soditet nga jashtë por nga brenda, duke njohur lidhjet me të cilat Ati na ka bashkuar me të gjitha qeniet” (ibid. 220)
Këtij Ati plot me mëshirë dhe mirësi, që pret kthimin e secilit prej bijve të vet, mund t’i drejtohemi duke i pranuar mëkatet tona ndaj botës së krijuar, të varfërve dhe brezave të ardhshëm. “Në masën në të cilën të gjithë ne shkaktojmë dëme të vogla ekologjike”, jemi të thirrur të pranojmë “ndihmesën tonë, të vogël apo të madhe, në tronditjen dhe në shkatërrimin e mjedisit”. Ky është hapi i parë në rrugën e kthimit.
Në vitin 2000, edhe ai një Vit Jubilar, paraardhësi im shën Gjon Pali II i ka ftuar katolikët të bëjnë pendesë për intolerancën fetare të kaluar dhe të tashme, ashtu si edhe për padrejtësitë e bëra kundër hebrenjve, grave, popujve vendas, emigrantëve, të varfërve dhe të fëmijëve ende të palindur. Në këtë Jubile të Jashtëzakonshëm të Mëshirës e ftoj secilin që të bëjë të njëjtën gjë. Si individë, tashmë të nënshtruar stileve të jetës të ndikuara qoftë nga një kulturë e keqkuptuar e mirëqenies qoftë nga një “dëshirë e çrregullt për të konsumuar më shumë nga sa kemi realisht nevojë” (ibid., 123), dhe si pjesëmarrës në një sistem “që ka imponuar logjikën e përfitimit me çdo kusht, pa menduar për përjashtimin shoqëror apo për shkatërrimin e natyrës”, le të pendohemi për të keqën që jemi duke i bërë shtëpisë sonë të përbashkët.
Pas një shqyrtimi serioz të ndërgjegjes dhe të banuar nga ky pendim, mund të rrëfejmë mëkatet tona kundër Krijuesit, kundër botës së krijuar, kundër vëllezërve tanë dhe motrave tona. “Katekizmi i Kishës Katolike na bën ta shohim rrëfyestoren si një vend në të cilin e vërteta na bën të lirë për një takim”. Ta dimë se “Hyji është më i madh se mëkati ynë”, se të gjitha mëkatet, përfshirë edhe ato kundër krijimit. I rrëfejmë sepse jemi të penduar dhe duam të ndryshojmë. Dhe hiri i mëshirshëm i Hyjit që marrim në Sakrament do të na ndihmojë ta bëjmë këtë.
4. Të ndryshojmë drejtim
Shqyrtimi i ndërgjegjes, pendimi dhe rrëfimi Atit të pasur me mëshirë na çojnë në një vendim të ngultë për të ndryshuar jetë. Dhe kjo duhet të kthehet në qëndrime dhe sjellje konkrete që e respektojnë më shumë botën e krijuar, si për shembull përdorimi më i kujdesshëm i plastikës dhe i letrës, mos keqpërdorimi i ujit, ushqimit dhe energjisë elektrike, diferencimi i mbeturinave, trajtimi me kujdes i qenieve të tjera të gjalla, përdorimi i transportit publik dhe bashkëndarja e të njëjtit automjet prej disa personave, e kështu me radhë (krh. Enc. Ti qofsh lëvduar, 211). Nuk duhet të besojmë se këto përpjekje janë tepër të vogla për ta përmirësuar botën. Këto veprime “shkaktojnë në gjirin e kësaj toke një të mirë që priret gjithmonë të përhapet, nganjëherë në mënyrë të padukshme” (ibid., 212) dhe nxisin “një stil jete profetik dhe soditës, të aftë për të gëzuar thellësisht pa qenë të obsesionuar prej konsumit” (ibid. 222).
Po ashtu qëllimi për të ndryshuar jetë duhet të përshkojë mënyrën me të cilën ndihmojmë në ndërtimin e kulturës dhe shoqërisë në të cilën bëjmë pjesë: në të vërtetë, “kujdesi për natyrën është pjesë e një stili jete që kërkon aftësinë për të jetuar së bashku dhe për të qenë të bashkuar” (ibid., 228). Ekonomia dhe politika, shoqëria dhe kultura nuk mund të jenë të sunduara prej një mendësie afatshkurtër dhe prej kërkimit të një përfitimi të menjëhershëm financiar apo zgjedhor. Në të vërtetë ato duhet të riorientohen urgjentisht drejt së mirës së përbashkët, që përfshin kujdesin për botën e krijuar.
Një rast konkret është ai i “borxhit ekologjik” mes Veriut dhe Jugut të botës (krh. ibid., 51-52). Kthimi i tij kërkon që të kujdesemi për mjedisin e Vendeve më të varfra, duke u dhënë atyre burime financiare dhe asistencë teknike që i ndihmojnë të administrojnë rrjedhojat e ndryshimeve klimatike dhe të nxisin zhvillimin e duhur.
Mbrojtja e shtëpisë së përbashkët kërkon një konsensus politik gjithnjë në rritje. Në këtë kuptim, është arsye kënaqësie që në shtator 2015 Vendet e botës kanë marrë përsipër Objektivat e Zhvillimit të Mundshëm, dhe që, në dhjetor 2015 kanë miratuar Marrëveshjen e Parisit në lidhje me ndryshimet klimatike, që i imponon vetes objektivin angazhues por edhe themelor që të frenojë shtimin e temperaturës globale. Tani Qeveritë kanë detyrën të respektojnë angazhimet që kanë marrë përsipër, ndërsa ndërmarrjet duhet të bëjnë me përgjegjësi pjesën e tyre, dhe u takon shtetasve të pretendojnë që kjo të ndodhë, madje edhe që të synohen objektiva gjithnjë e më ambiciozë.
Pra, ndryshimi i drejtimit do të thotë “të respektohet me kujdes urdhërimi fillestar i ruajtjes së botës së krijuar nga çdo e keqe, qoftë për të mirën tonë qoftë për të mirën e qenieve të tjera njerëzore”. Një pyetje mund të na ndihmojë që të mos e humbim sysh objektivin: “Çfarë lloj bote dëshirojmë t’u përçojmë atyre që do të vijnë pas nesh, fëmijëve që janë duke u rritur?” (Enc. Ti qofsh lëvduar, 160).
5. Një vepër e re e mëshirës
“Asgjë nuk na lidh më shumë me Hyjin se sa një akt mëshire – qoftë nëse bëhet fjalë për mëshirën me të cilën Zoti na i fal mëkatet tona, qoftë nëse bëhet fjalë për hirin që na jep për të praktikuar veprat e mëshirës në emër të tij”.
Duke parafrazuar shën Jakobin, “mëshira pa veprat është e vdekur në vetvete […] Për arsye të ndryshimeve të botës sonë të globalizuar, disa varfëri materiale dhe shpirtërore janë shtuar: pra, le t’i japim hapësirë fantazisë së dashurisë për të gjetur modalitete të reja veprimi. Në këtë mënyrë rruga e mëshirës do të bëhet gjithnjë e më konkrete”.
Jeta e krishterë përfshin praktikimin e veprave tradicionale të mëshirshme të trupit dhe të shpirtit. “Zakonisht mendojmë për veprat e mëshirshme një nga një, dhe si të lidhura me një vepër: spitalet për të sëmurët, mensat për ata që kanë uri, strehët për ata që janë rrugëve, shkollat për ata që kanë nevojë për arsim, rrëfyestorja dhe drejtimi shpirtëror për ata që kanë nevojë për këshillë dhe për falje… Por nëse i shikojmë së bashku, mesazhi është se objekti i mëshirës është vetë jeta njerëzore në tërësinë e saj”.
Natyrisht, vetë jeta njerëzore në tërësinë e saj përfshin kujdesin për shtëpinë e përbashkët. Pra, po i lejoj vetes të propozoj një shtesë të dy listave tradicionele të shtatë veprave të mëshirshme, duke i shtuar secilës kudesin për shtëpinë e përbashkët.
Si vepër e mëshirshme e shpirtit, kujdesi për shtëpinë e përbashkët kërkon “soditjen mirënjohëse të botës” (Enc. Ti qofsh lëvduar, 214) që “na lejon të zbulojmë nëpërmjet çdo gjëje ndonjë mësim që Hyji dëshiron të na komunikojë” (ibid., 85). Si vepër e mëshirshme e trupit, kujdesi për shtëpinë e përbashkët kërkon “gjeste të thjeshta të përditshme në të cilat t’i biem mohit logjikës së dhunës, të shfrytëzimit, të egoizmit […] dhe dëftohet në të gjitha veprimet që përpiqen të ndërtojnë një botë më të mirë” (ibid., 230-231).
6. Në përfundim, të lutemi
Pavarësisht prej mëkateve tona dhe sfidave të frikshme që kemi përpara, le të mos e humbasim kurrë shpresën: “Krijuesi nuk na lë vetëm, nuk kthehet prapa në planin e vet të dashurisë, nuk pendohet se na ka krijuar […] sepse është bashkuar përfundimisht me tokën tonë, dhe dashuria e tij na bën gjithmonë të gjejmë rrugë të reja” (ibid., 13; 245). Në veçanti, më 1 shtator dhe pastaj për gjithë pjesën tjetër të vitit, le të lutemi:
“O Hyj i të varfërve,
na ndihmo t’i çlirojmë të braktisurit
dhe të harruarit e kësaj toke
që aq shumë vlejnë para syve të tu. […]
O Hyj i dashurisë, na e dëfto vendin tënd në këtë botë
si mjet të dashurisë tënde për të gjitha qeniet e kësaj toke” (ibid., 246).
O Hyj i mëshirës, bëj që të marrim faljen tënde
dhe të përçojmë mëshirën tënde në të gjithë shtëpinë tonë të përbashkët.
Ti qofsh lëvduar.
Amen.
Nga Vatikani, 1 shtator 2016
Papa Françesku

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.