Udha e Kryqit në Gjurmët e Martireve

1026
0
Share:

 

 

 

Udha e Kryqit

në gjurmët e martirëve

në ish- burgun e Sigurimit  të Shtetit – Shkodër

Tekstet e Udhës së Kryqit janë nxjerrë nga vëllimet e Atë Leonardo Di Pinto O.F.M.: “Imzot Vinçenc Prennushi me Shokë Martirë”, profil historik hagjiografik, enti botues Arqipeshkvia Shkodër-Pult, Shtator 2016.

Nën kujdesin e Motrave Klarise

Manastiri “Sh. Kjara”- Shkodër- 2017

 

 

UDHA E KRYQIT

 

 

    1. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.
    2. Amen.
    3. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë dhe ndikimi i Shpirtit Shenjt qoftë me ju të gjithë.

     

    1. Dhe me shpirtin tënd.
    2. Në fillim të udhëtimit të kryqit kërkojmë mëshirën e Zotit:

    O Zot, ki mëshirë.

    1. O Zot, ki mëshirë.

     

    1. O Krisht, ki mëshirë.
    2.             O Krisht, ki mëshirë.
    3. O Zot, ki mëshirë.
    4. O Zot, ki mëshirë.
    5. Të adhurojmë o Krisht, e të bekojmë.
    6. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.
    7. Të lutemi.

    O Zot Jezu Krisht, të ndjekim me fe e me dashuri në rrugën tënde të kryqit. Dhimbja jote qoftë dhimbja jonë. Kryqi yt qoftë kryqi ynë. Vdekja jote qoftë vdekja jonë. Kështu do të jemi me ty në lavdinë e ringjalljes për të gjithë shekuj të shekujve.

    1. Amen.

     Rrite Zoja tui lotue

    Afër krygjet, tui shikjue

    Krishtin pezull kryqëzue.

                                                    Nënë e dashur, t’lus pa pra

                                                   Plagët e Birit tënd pa da

                                                   Gjurma në zemër me mi ba.

     

    TË NDALURIT E PARË

    Jezu Krishtin e dënojnë me vdekje

     

    1. T’ adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

    Prej Ungjillit  sipas  Lukës    (Lk 23,20-25)

    Pilati foli prapë, sepse dëshironte ta lirojë Jezusin. Por ata bërtitnin: “Kryqëzoje! Kryqëzoje!”.       Ai u tha të tretën herë: “Po ç’të keqe ka bërë? Unë nuk gjeta në të faj që meriton vdekjen.              Do ta ndëshkoj, pra, dhe do ta lëshoj”. Porse ata me britma të mëdha e me këmbëngulje kërkonin ta kryqëzojë: britmat e tyre bëheshin përherë e më të mëdha. Atëherë Pilati vendosi të bëhej ashtu si kërkonin ata. Ua lëshoi atë që u burgos për kryengritje e vrasje, atë që kërkuan, kurse Jezusin ua dorëzoi vullnetit të tyre.

    Nga hagjiografia e Imzot Vinçenc Prennushit, O.F.M.,  Arqipeshkëv

    Imzot Prennushi ishte i vetëdijshëm se edhe ai, si çdo klerik tjetër, i konsideruar nga regjimi si sabotator, agjent dhe spiun i Vatikanit, herët a vonë, edhe nëse nuk kishte bërë asgjë të keqe, do të arrestohej sepse ishte ipeshkëv dhe në shërbim të plotë të fesë. Akoma më shumë pas refuzimit me guxim  për të mos bashkëpunuar që ta bënin Kishën katolike Kishë Kombëtare, domethënë të ndarë prej Vatikanit, të bërë Komitetit Qendror  të Qeverisë.

    Sidoqoftë, koha arriti, dhe me kohën edhe radha e tij për t’u arrestuar më 19 maj 1947, në arqipeshkvi, ditën pas arrestimit të famullitarit dhe sekretarit të tij Dom Anton Zogaj.

    U mbyll në burgun e Durrësit, ku qëndroi derisa vdiq. Preteksti i arrestimit ishte fakti se Imzot Prennushi, kishte shkuar në fshatin e Shën Prendës për të ndarë sakramentin e Krezmimit dhe në atë rast, siç ishte normale, kishte predikuar. Motër Pasquina Auciello në këtë pikë shton hollësi: “Sapo përfundoi funksionin Arqipeshkvin e akuzuan se e kishte përshëndetur Asamblenë në mënyrë fashiste (spiunët sekretëtë pranishëm në funksionin e panë prelatin të shtrinte duart për të thirrur Shpirtin Shenjt dhe e interpretuan atë gjest si përshëndetje fashiste!). Ishte një pretekst i mjaftueshëm për të zbatuar atë që kishin vendosur kushedi se prej sa kohësh.”

    1. Të lutemi:

    O Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvuajtë, i dënuar me pa të drejtë  për mëkatet tona.  Na shiko me mirësi të gjithë  ne, që shpesh jemi të verbër dhe të pandjeshëm, që gjykojmë dhe dënojmë vëllezërit dhe motrat tona.  Na e jep neve dhe atyre faljen Tënde!  Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.           Mëshirë për ne, o Zot!

     

    Heshta zemrën prej trishtimit,

    Prej sikleti, prej idhnimit,

    Zoj’s përshkue ia kishte shqimit.                        Nënë e dashur …

    TË NDALURIT E DYTË

    Jezu Krishti është ngarkuar me kryq

    1. T’ adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej Ungjillit sipas Mateut   (Mt 27, 27-31)

    Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij krejt kohortën. E zhveshën dhe ia qitën krahëve një mantel të kuq. Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye, ndërsa në dorën e djathtë ia dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë dhe i thoshnin: “Të falemi, mbreti i judenjve!” e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë. Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petka të tija dhe e çuan për ta kryqëzuar.

     

    Nga hagjiografia e Dom Lazër Shantojës

    Dom Lazër Shantoja qe meshtari i parë i pushkatuar nga komunistët, pasi u torturua tmërrsisht dhe barbarisht.  Bashkë me të, u arrestua dhe u vra edhe Kol Sheldia. Policia i çoi të dy në kishën e Sheldisë ku u mblodhën të gjithë burrat e zonës për t’u treguar atyre se më në fund kishin arrestuar dy kriminelë shumë të rrezikshëm. “Gjatë rrugës, policia e ngacmonte duke thënë: – ke për të parë se çfarë do të të bëjmë! -. Dhe Dom Lazër, që ishte shumë i qetë dhe i fortë, pa i pasur aspak frikë, u është përgjigjur: – Çfarë do të më bëni? Me e shumta do të më vrisni!-”.

    “Dom Lazër qe shkrimtar i njohur dhe orator i mirë”. … “Arsyeja kryesore e përndjekjes së tij ka qenë arsyeja e përgjithshme e përndjekjës  kundër Kishës në Shqipëri, sepse ajo ishte përfaqësuese e kulturës evropiane në Shqipëri”. Në burg dhe në tortura reagoi si nxënës i vërtetë i Krishtit, askush nuk dëgjoi asnjë fjalë të keqe të dilte prej gojës së tij, i duroi vuajtjet për hatër të Krishtit. I vetëdijshëm për të drejtën e tij që të jetë i lirë, e donte të lirë popullin e vet.

     

    1. Të lutemi:

    O Jezus, Zoti ynë, që mbart kryqin në shpatullat e Tua të pafajshme, shikoji të gjithë njerëzit që e shpërfillin dhimbjen dhe lodhjen e të ngjashmëve të tyre. Bëj që të gjithë ne të mund të luftojmë dhe të përpiqemi për lirimin e njeriut. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

     

    Oh sa n’vaj e sa n’ankim

    Kje n’atë ças, pa pasë nji g’zim,

    Nana e Krishtit veç bekim.                     Nënë e dashur …

    TË NDALURIT E TRETË

    Jezu Krishti bie të parën herë nën kryq

     

    1. T’ adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej librit të Isaisë Profet     (Is 53, 4-7)

    E pra, ai i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatullat e veta i ngarkoi dhimbjet tona! E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar, i munduar prej Hyjit e i nënçmuar! Kurse ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona, i ndrydhur për shkak të fajeve tona; ndëshkimi, peng paqeje për ne, peshoi mbi të: me vragën e tij ne u shëruam. Të gjithë ne endeshim si berret e humbura, secili udhën e vet ndiqte e Zoti e ngarkoi mbi të paudhërinë e të gjithë neve. I marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet, nuk e çeli gojën e vet; porsi qengji që e çojnë për ta therur, porsi delja e pazë para qethtarëve, nuk e çeli gojën e vet.

         Nga  hagjiografia  e Dom Ndre Zadejes

    Duke qenë njeri i kulturuar, ishte dhe ndihej një njeri i lirë, ndiente se gëzonte atë liri që gëzojnë të gjithë bijtë e Hyjit; një gjë e tillë e bënte të ishte mbareshtues i bindur i Hyjit dhe kumtues profetik i kësaj lirie hyjnore. Qe i palodhur në mbrojtjen e fesë, të atdheut dhe të dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Qe njëri prej shtatë shkrimtarëve më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar… në Shkodër i thërrisnin “poet i ëmbël”. Duke e ditur rëndësinë që ka katekeza në formimin e të krishterëve, hartoi enkas katekizëm në vargje me qëllim që fëmijët të kujtonin me lehtësi. Por gjithçka që dom Ndreu ishte dhe bënte, përpara se regjimi të merrte pushtetin, lëndoi përkrahësit e ideologjisë komuniste.

    U arrestua në Shëldi, ku ishte famullitar, më 4 shkurt 1945. Nuk i kundërshtoi arrestimit, dukej sikur qëndronte atje, në famulli, duke e pritur këtë gjë, dhe me dinjitet meshtarak e la veten të prangosej.  Imzot Zef Simoni pohon se Dom Ndre Zadeja u arrestua  vetëm pse ishte një ndër figurat  qendrore të Kishës. Më 25 mars 1945 u flijua. Ishte e Diela e Larit. Pushkët ia ndërprenë shpalljen e fundit të fesë dhe bashkë me të edhe jetën.

     

    1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, të lutemi për të gjithë ne mëkatarët. Na shiko të gjithë  me mirësi dhe na shëro nga sëmundjet tona shpirtërore me dashurinë Tënde të mëshirshme. Ti që jeton e mbretëron në shekuj   të shekujve.              Mëshirë për ne, o Zot!

                        Qante, vajtonte e dhimbshmja Nënë,

    Krishti vuante për gjithë anë,

    Pa mundur një ndihmë me i dhanë.      Nënë e dashur…


    TË NDALURIT E KATËRT

    Jezu Krishti has në nënën e vet

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej Ungjillit  sipas Lukës   (Lk 2,34-35)

    Atëherë Simoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael . Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do ti kundërshtojnë.  Edhe ty vetë një shpatë do të shporojë shpirtin që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.”

     

    Nga  hagjiografia e  Atë Danjel Dajanit,  S.I.

    Prej Seminarit, Atë Danjel Dajani, ku në momentin e arrestimit u tregua i qetë dhe i kthjellët siç ishte stili i tij, së bashku me Atë Fausti-n, prej agjentëve të Sigurimit u dërgua në burg dhe aty u bënë hetime të pafund dhe tortura të patregueshme, për dy muaj, deri në vdekje. Dëshmon Gjovalin Xhanxhafili: “ U trajtua shumë egërsisht. E lanë pa ngrënë e pa pirë në mënyrë që ta ligshtonin dhe që të mos kishte më forca për  të rezistuar dhe për të luftuar. Të gjitha vuajtjet, torturat dhe dënimin, i pranoi me shumë qetësi … me gjithë këtë, ishte i qetë, i ekuilibruar dhe i mbante gjallë edhe të tjerët. U soll si qengji përpara ujqëve.”  Mbajtur si frymëzues dhe themelues  i organizimit “Bashkimi Shqiptar”, u akuzua edhe  se ishte spiun i Vatikanit.  U pushkatua në Shkodër, në orën 5  të mëngjesit, më 4 mars 1946, dhe u la aty, së bashku me sivëllain Atë Giovanni Fausti-n, Atë Gjon Shllakun, Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë laikë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

     

    1. Të lutemi:

    Bëj, o Zot Jezus, nëpërmjet lutjeve të Nënës Tënde të Shenjtë, që ta imitojmë forcën e saj gjatë rrugës së Kalvarit. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

     

    Tue këqyrë Nanën e Tenzot

    Afër Krishtit me varrë plot

    Nuk asht njeri që s’derdhë lot.               Nënë e dashur …

     

     

    TË NDALURIT E PESTË

    Jezu Krishti ndihmuar prej Cireneut

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej Ungjillit sipas  Markut   (Mk 15,21-22)

     

    Ushtarët e detyruan një kalimtar që po kthehej nga fusha, Simonin prej Cirenës, babanë e Aleksandrit e të Rufit, të mbartë kryqin e Jezusit.  Jezusin e çuan në një vend që quhet Golgota, që në përkthim do të thotë: ‘Vendi i Kafkës’.

     

    Nga  hagjiografia  e Atë Giovanni Faustit,  S.I.

    Prej momentit tragik të arrestimit, pjesën tjetër të jetës së tyre, domethënë për rreth 60 ditë, Atë Givanni Fausti dhe Atë Danjel Dajani, së bashku me të tjerë, bëjnë të njëjtën udhë të dhimbshme, atë të nisur nga Krishti i pafajshëm dhe martir.  Ka thënë Marinte Gjoka: “ Kur u lexua dënimi me vdekje, Atë Giovanni Fausti nuk dha asnjë shenjë shqetësimi. Ati i mirë, që e njihte mirë qëllimin e përndjekësve të vet, gjatë muajve të vështirë të burgimit, nën shembullin e Rrëfyesve të mëdhenj të fesë, u përgatit për flijimin më të lartë të jetës së vet meshtarake, duke vuajtur me qetësi çdo poshtërim  dhe  mungesë”. Kujton  Gjovalin Zezaj, i arrestuar dhe burgosur  me  po ato akuza:         “ Sa herë që e takoja bënte çmos për të ma ngritur moralin, duke më thënë mes të tjerash: – Jezusi ka thënë : Atë, fali ata sepse nuk dinë çfarë bëjnë! – Kështu më jepte kurajë, sepse isha shumë i ri.        E gjeja me duart e bashkuara duke u lutur gjithnjë. Kisha një dëshirë të madhe që ta takoja shpesh. Më dukej si shenjt.”

     

    1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, na mëso të gëzojmë për të mirën e të tjerëve. Digje me dashurinë Tënde zilinë që gërryen zemrën tonë. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

     

                         Kush sheh Zojën n’at siklet

    Gati vdekur për djal’ t’vet

    Jo, pa qarë askush nuk mbet                 Nënë e dashur …

     

    TË NDALURIT E GJASHTË

    Veronika ia fshin fytyrën Jezu Krishtit

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

    Prej librit të Isaisë Profet  (Is 53,2-3)

     

    Para tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë.  S’kishte bukuri as hijeshi, që të mund të vërejmë në të, as pashi që të mund të na pëlqente. Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e bënim për send!

    Nga  hagjiografia e Mark Çunit, Seminarist

    Ka thënë e motra Shuke: “ Nëna mori pjesë në gjyq. Atje i pa të vinin të lidhur dy nga dy, ndërsa njerëzit i fyenin e i pështynin ata. Marku ishte i qetë dhe shikimi i tij komunikonte dinjitet dhe kurajë. […] Gjyqi zgjati tre javë. E ëma shkonte për t’i dhënë zemër Markut me forcën e lutjes dhe komunikonte me të nëpërmjet gjesteve e shikimeve. Kur ai e shikonte atë, e ëma merrte në dorë Rruzaren dhe i tregonte Kryqin, duke e ftuar kështu që të ishte i fortë në Krishtin. Marku, nëpërmjet gjesteve të dorës, i bënte të kuptonte se ata njerëz nuk mund t’i bënin asgjë dhe se ai kishte Krishtin që e priste në qiell. […]  E ëma u përpoq ta shihte të paktën për herë të fundit, por gjithçka qe e kotë, e atëherë qëndroi me ta në shtëpi duke qarë. Pastaj, kur  mori vesh se Marku ishte ekzekutuar, u tha atyre që i kishin sjellë lajmin se tani Marku i saj ishte bërë prift. Ndërkohë njerëzit e tjerë u thonin që të mos qanin e të mos hidhërohen, sepse ai tashmë kishte shkuar në parajsë.”  27 vieç u shua jeta e tij e shkurtër dhe heroike, së bashku  me Eprorët e Seminarit të tij.  Dhe nëna e tij, vejushë dhe e hidhëruar si Nëna e Hyjit, e humbi të vetmin djalë pa pasur mundësi as t’i fshinte gjakun e derdhur, as të qante mbi trupin e tij.

     

    1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, Fytyrë e Atit, bëj që të dimë të të njohim në fytyrën e vëllezërve tanë, shpesh të shpërfytyruar nga vuajtja, dhimbja, zhgënjimi, frika dhe na ndihmo t’i thajmë me mëshirë dhe kujdes lotët e tyre. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

     

    Mëkatet tona me i resiti,

    E pa Krishtin gjith molitë

    Prej së rrahnash t’asaj ditë.                    Nënë e dashur …

    TË NDALURIT E SHTATË

    Jezu Krishti bie të dytën herë nën kryq

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej librit të  Psalmeve    (Ps 69,2.5)

    Më shpëto, o Hyj, sepse ujët më arriti deri në fyt!

    Më shumë se flokët e kresë sime janë ata që më urojnë pa të drejtë.

    U forcuan ata që më salvuan,armiqtë e mi rrenacakë: çka nuk vodha më duhej të ktheja?

     

     Nga  hagjiografia  e  Atë Gjon Shllakut,  O.F.M.

    Rreth orës 10.00, Drejtori i shkollës, Atë Donat Kurti, që e kishte fytyrën të kuqe dhe sytë plot lot, e thirri. I tha se Sigurimi kishte për t’i bërë një pyetje të parëndësishme dhe se duhej të paraqitej në kazermë. Nuk qe e vështirë për  Atë Shllakun ta parandiente se çfarë e priste dhe, duke i lërë librat në sallën e mësuesve, u tha atyre që ishin të pranishëm: “ Lamtumirë për herë të fundit në këtë jetë!”. I zbehetë në fyturë,  Atë Gjoni u kthye përsëri në klasë, mori çantën e vet dhe, pa thënë asnjë fjalë, doli nga klasa në të cilën nuk u kthye më kurrë. Te dera e gjimnazit e prisnin dy policë të Sigurimit. Pa reaguar, e pranoi me guxim arrestimin si  një fakt normal që po e priste. Kështu filloi ngjitja e tij e vuajtur në Kalvar. Gjatë dhe sidomos jashtë  seancave hetimore, që fillonin, siç ishte zakon i regjimit, natën vonë, e tortoruan barbarisht dhe, si Krishti i rrahur, nuk përgjigjej dhe nuk reagonte. Kishte ardhur ora e tij! Dhe deri në fund e ndoqi besnikërisht Krishtin, modelin dhe forcën e tij, duke mbajtur një sjellje shembullore si frat minor i vërtetë. […] Nga dita  e dënimit deri në ditën e pushkatimit, Atë Gjon Shllaku, frat minor, me shokë qëndruan heroikisht në lutje të vazhdueshme dhe biseda shpirtërore, duke e forcuar njëri-tjetrin për hapin e fundit në dëshmi të besnikërisë ndaj fesë, ndaj Ungjillit dhe ndaj Kishës.

     

    1. Të lutemi:

     O Zot Jezus, kujtohu për të krishterët, që në çdo kontinent të dëshmojnë në përndjekje dhe që martirizohen për besimin. Gjaku i tyre qoftë farë për të krishterët e rinj dhe shenjë e pranisë Sate të amshueshme. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

    N’mal t’Kalvarit kur e lëshoi

    Veten n’kryq e kur mbaroi,

                    Krishtin pa e dhimbshmja Zojë.                Nënë e dashur…

    TË NDALURIT E TETË

    Jezu Krishti ngushëllon gratë

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej Ungjillit  sipas Lukës        (Lk 23,27-28.31)

    Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish dhe disa gra që e qanin dhe e vajtonin. Jezusi u kthye nga ato dhe tha: “Bijat e Jeruzalemit! Mos më qani mua, por qani veten e fëmijët tuaj!  Sepse presin nëse veprohet kështu me dru të njomë, çka do të ndodh me të thatën?

     

    Nga  hagjiografia  e  Qerim Sadikut,  Laik

    Qerim Sadiku ishte i martuar me Marije Vatën dhe djali i vetëm, Gaspri, lindi gjashtë muaj pas pushkatimit të tij. Formimi i tij thellësisht njërzor dhe i krishterë e vinte në kundërshtim të natyrshëm ndaj regjimit komunist ateist, i cili kërkoi çdo rast për të përndjekur Kishën dhe njerëzit e fesë për faktin se kishin ndikim në popull. Qerimi, kur mori vesh për organizatën “Bashkimi Shqiptar”, lindur fshehurazi në papafingon e Seminarit, u bashkua me entuziazëm dhe u bë aktivist i bindur. Qerimi u arrestua së bashku me 39 anëtarë të tjerë të organizatës. Qëndrimi i tij në burg, vend agonie të gjatë, forcoi besimi dhe e pastroi shpirtin e tij. Kërkoi në lutjen mbështetjen për të duruar çdo vuajtje. Kolë Vata ka dëshmuar: “Gruaja e tij, Marija, kishte arritur dy herë ta takonte në burg. Ajo me tregoi se Qerimi ishte dobësuar shumë dhe i kishte lënë të kuptonte se e kishin trajtuar shumë keq, por i thoshte: – Jam i fort! -”. Vulleti i tij i fundit qe: “I fali të gjithë ata që në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata qe më kanë dënuar me vdekje edhe ata që do të më ekzekutojnë. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Shqipnia!”.

     

    1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, të lutemi për të gjithë ne mëkatarët: na e jep hirin për t’u kthyer sa më shpejt.              Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

     

    Bëj ti Nëna me dashni

    Dhimbjen tënde bëj ta ndi

    Sa t’jetoj n’ket shekull të zi.                    Nënë e dashur …

     

    TË NDALURIT E NËNTË

    Jezu Krishti bie të tretën herë nën kryq

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej librit të Isaisë Profet   (Is 53,7-8)

    I marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet, nuk e çeli gojën e vet; porsi qengji që e çojnë për ta therur,

    porsi delja e pazë para qethtarëve, nuk e çeli gojë e vet.

    E hoqën këso jete me dhunë e me gjyq. Kush kujdeset për fatin e tij?

    Po, e zhbinë nga toka e të gjallëve, për faj të popullit të vet qe goditur për vdekje.

     

    Nga  hagjiografia  e  Gjelosh Lulashit, Laik

    Për gjyqin, të gjithë ishte organizuar si një spektakël madheshtor i terrorizmit fitimtar. […] Kjo pamje ishte e njëjtë, identike me atë të gati dymijë vjetve më parë që zhvillohej në rrugët e Jeruzalemit që nga Ponc Pilati deri në Kalvar. Më shumë se një herë e ëma mori pjesë në këtë rrugë mundimesh, si Zoja që shoqëronte të Birin e vet në Kalvar, dhe njërën prej herëve të fundit, kur tashmë çdo shpresë për të shpëtuar ishte shuar, Gjeloshi, duke i kaluar afër dhe duke e shikuar me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, i tha nën zë: – Do të shihemi në parajsë. Nënë, mirupafshim. Qëndro e fortë! –

    Gjatë torturave që pësoi, më çnjerëzoret që mund t’i bëhen një njeriu, qëndroi i kthjellët, i fortë dhe i vendosur në bindjet e tij të krishtera, që komunizmi me çdo mënyrë donte t’i zhdukte. Vetëm Hyji e di se si i jetoj dhjetë ditët që e ndanin prej pushkatimit. Ngushëllimi i tij i vetëm qenë feja e tij, lutja dhe vetëdija se i kishte qëndruar besnik Krishtit deri në derdhjen e gjakut të vet për kishën dhe atdheun.

    1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, na bëj të kuptojmë që vetëm duke bashkëndarë dhimbjen e mundimeve të Tua mund ta shohim duke lindur në ne diellin e ngjalljes Sate. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

    Tui t’u lutë gjithmonë po shkoj,

    Ban qi Krishtin ta adhëroj,

    Hirin tand kurr mos ta lëshoj.                Nënë e dashur …

    TË NDALURIT E DHJETË

    Jezu Krishtin e zhveshin

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej librit të  Psalmeve   (Ps 22,17-19)

    Më rrethuan qen me shumicë, turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.

    M’i shporuan duart  e këmbët mund ti numëroj të gjithë eshtrat e mia, e këta më këqyrin

    e nuk mi ndajnë sytë. Petkat e mia ndër vete i ndajnë e mbi petkun tim qesin short.

    Nga  hagjiografia  e  Dom Alfons Tracki-t

    Don Alfons Tracki, duke parandier ardhien e komunizmit, fliste me vetëdije për rreziqet që i kërcënoheshin Shqipërisë dhe fesë katolike. Shpesh u thoshte besimtarëve: “Përgatituni të bëni qëndresë, sepse do t’ju kërkojnë ta mohoni Krishtin”. Shumë miq i këshilluan ta linte Shqipërinë. Por nuk deshi t’ia dinte. Madje, e shprehu qartë qëllimin e vet: “Vendi im është Shqipëria dhe bashkatdhetarët e mi janë shqiptarët … unë dua të vdes këtu!”. U arrestua nga Sigurimi më 14 shkurt 1946 dhe, së bashku me të tjerë,  u dënua me vdekje me pushkatim.

    Sjellja e tij para Trupit gjykues të Gjykatës Ushtarake qe shumë korrekte e dinjitoze, duke ditur  mirë se çfarë e priste. Në burg pësoi torturat më çnjerëzore dhe poshtërimet më të turpshme, por nuk e humbi dinjitetin e vet meshtarak. Ishte i vetëdijshëm se gjendej në ato kushte in odium fidei.

    Delegati Apostolik Imzot Leone Nigris, nga Roma komunikoi atë që kishte marrë vesh në rrugë të fshehtë: “ Të pushtuar prej frikës, askush nuk arriti ta ndihmonte me ushqime të burgosurin Dom Alfons Trackin, që është në kushte të mjerueshme dhe nuk ka të afërt që ta ndihmojnë, sepse është gjerman”.   Prej frikës së do të akuzoheshin, aq shumë ishte përhapur terrori, as familjarët dhe as kleri nuk mundën të interesoheshin për të marrë e varrosur trupin e tij, që humbi.

     

    1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, bëj që të zhvishemi prej asaj që s’është e denjë, për t’u veshur me veshjen e bardhë, që Ti na e ke blerë me kryqin Tënd. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

    Nënë e dashur, t’lus pa pra

    Plagët e Birit tënd pa da

    Gjurma në zemër me mi ba.                      Nënë e dashur …

    TË NDALURIT E NJËMBËDHJETË

    Jezu Krishtin e gozhdojnë në kryq

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej Ungjillit  sipas Lukës     (Lk 23,33.34.38)

    Kur arritëm në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe bakëqitë njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.  E Jezusi lutej: “Fali o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”.  E për t’i ndarë petkat e tija qiten short’.  Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve”.

    Nga  hagjiografia  e Fran Mirakajt,  Laik

         Tregon File e bija: “Më kujtohet se shpesh babai im i jepte të varfërve bukën që e kishim për vete. Shumë herë nëna na thoshte se ajo ishte kundër kur ai sillej në këtë mënyrë dhe i thoshte: – Nuk mund t’i lëmë fëmijët tanë pa gjë! –  Ai përgjigjej: – Nuk mund t’i shërbejmë Zotit dhe të tjerëve, nëse ne nuk heqim dorë nga diçka! – ”

    Megjithëse i njihte rreziqet, më të cilët do të përballej, kuptoi se bamirësia pa rreziqe, do të thonim dashuri heroike, është shterpë, dhe u angazhua shumë për ta bërë pjellore deri në fund, deri në derdhjen e gjakut të vet.

    Në burg e torturuan në mënyrë çnjerëzore. Një shokë i qelisë ka mundur të dëshmojë: “ Një ditë më torturuan shumë e pastaj më lanë në qelinë e Franit. Atëherë ai, duke më parë të dridhesha nga ftohtët, e hoqi pallton e tij dhe ma dha. I thashë: – Jo, Fran, sepse  edhe ti do të jesh duke vdekur të ftohtit! –  Por Frani më tha: – Për mua nuk ka rëndësi. Unë do të vdes, por jam i gëzuar se do të vdes pa mohuar Krishtin, as gjakun tim dhe për këtë arsye lëmë të vdes!- ”

     

    1. Të lutemi:

     O Zot Jezus, Hyji ynë, i gozhduar në kryq për shpëtimin tonë, na jep neve dhe mbarë botës paqen që vjen prej Teje. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

     

                        Ti pjestar m’bën përgjithmonë

    N’at mundim që për faj tonë,

    Hoq mbi kryq Shëlbuesi ynë.                  Nënë e dashur …

    TË NDALURIT E DYMBËDHJETË

    Jezu Krishti vdes në kryq

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej Ungjillit sipas Gjonit    (Gj 19,28-30)

    Pastaj Jezusi i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vënd fjala e Shkrimit Shenjt, tha: “Kam etje!” Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një shpuzë plot me uthull dhe ia afruan te goja. Jezusi porsa e kërkoi uthullën, tha:”Gjithçka u krye!”.  Uli kryet e dha shpirt.

    Nga  hagjiografia  e  Dom Jozef Marksenit

    Dedë Markagjoni, një shok i tij  i burgut, ka thënë: “E takova në burgun e vjetër të Tiranës ku isha burgosur. Si natyrë ishte shumëi butë dhe i thjeshtë, për këtë arsye e nderonin të gjithë”.

    Nuk iu kursye asnjë poshtërim dhe asnjë torturë. Sa më shumë që tregohej i butë dhe i qetë në mundime aq më shumë xhelatët vërsuleshin kundër tij dhe ai mund të thoshte së bashku me Shën Palin: “Plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit!”.

    Në një gjyq farsë u dënua me dy vjet burg. Ishte gati në përfundim të dënimit, kur regjimit nuk iu duk e drejtë që të kthehet e të jetonte mes njerëzve, që  u kishte bërëmirë e që i donte si një baba. Atëherë, duke pasur parasysh se kush ishte Dom Markseni për njerëzit, me justifikimin se po e dërgonin në Gjermani, një natë policët erdhën dhe e morën nga burgu i Tiranës dhe u pushkatua në një pyll rrugës për Kukës.

    Nga burgu, Dom Markseni i shkronte vëllait: “Jemi në duart e Zotit. Jam mirë: jeta ime është në duart e Tij”.

     

    1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, i vdekur për të gjithë në kryq, ki mëshirë për ne krijesat e vdekshme. Në çastin e vdekjes, na dil përpara dhe na mirëprit. Na mbart në shpatulla, pasi t’i kesh larë mëkatet tona me Gjakun Tënd të paçmueshëm. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

    Afër kryqit t’Birit t’Temzot,

    M’bëj, o Zojë, të derdhi lot,

    Derisa t’kem jetë e mot.                          Nënë e dashur …

     

    TË NDALURIT E TREMBËDHJETË

    Jezu Krishtin e ulin prej kryqit

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

     

    Prej Ungjillit sipas Gjonit    (Gj 19,31-34)

    Atëherë Judenjtë, mbasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën – e ajo e shtunë ishte dita e madhe – i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë .

    Nga  hagjiografia  e  Dom Luigj Prendushit

    Ata që panë pushkatimin  dhe ata që e mësuan, panë tek Dom Luigj Prendushi një martir të vërtetë të fesë, sepse i pafajishëm, pratikisht vetëm sepse ishte meshtar i mirë dhe i besnik, dhe drejtësia e tij i brezdiste ata që nuk ishin të drejtë. Kishtë derdhur gjakun e tij duke lavdëruar Jezusin, Martir hyjnor.

    Pranoi në brendësinë e tij kryqin dhe e shdërroi në një akt dashurie për Hyjin e për popullin e tij.

    U mor nga burgu i lidhur së bashku me të riun Ndrec Dedë Dodanin. Nën goditjet e para ra Ndrec, dhe menjëherë, mbi ta, ra Dom Luigji, nga plagët e të cilit dolën rrëke gjaku si prej një shatërvani. Goditja përfundimtare i dha fund tragjedisë. Dom Luigji ishte 51 vjeç: ishta  dita e ditëlindjes së tij më 24 janar 1947. I lidhur me të riun Ndrec, u varros afër vendit të pushkatimit.

    Trupi  i pajetë i Dom Lujgjit u transferua nga Shelqeti në varresat katolike në Shkodër me një varrim solemn, drejtuar nga Dom Zef Simoni më 24 janar 1992 me rastin e 45-vjetorit të flijimit     të  tij.

     

    1. Të lutemi:

    O Jezus, ne fshihemi pas plagëve të Tua. Na shpëto nga i keqi, që na sulmon. Na liro nga çdo e keqe. Na bëj ngadhënjyes mbi errësirën, që duket se fiton mbi dritën e ditëve tona. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

    Afër kryqit po rënkoj,

                            Afër tejet po lotoj.

        Bëj të qaj un’ pa pushuar.                  Nënë e dashur …

    TË NDALURIT E KATËRMBËDHJETË

    Jezu Krishtin e varrosin

     

    1. T’adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë.
    2. Pse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.

    Prej Ungjillit sipas Gjonit      (Gj 19,41-42)

    Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së Judenjve, meqënëse varri ishte afër, e shtrinë në varr Jezusin.

     

    Nga  hagjiografia  e Dom  Dedë  Maçajt

    Stina e tij baritore fatkeqësisht zgjati pak. Ishte një meshtar i ri shumë i zgjuar, i vendosur dhe i patundur. Ishte i qeshur, me takt, i shoqërueshëm, i thjeshtësi  si një i shenjtë. Ishte shumë i mirë, shpirtëror, i zellshëm dhe i  devotshëm, që e përmushte shërbimin e tij apostolike me përgjegjësi dhe përkushtim. U akuzua pa tëdrejtëpër veprimtari sabotimi kundër pushtetit popullor dhe vepra spiunazhi në favor të Vatikanit. Vëllait të tij Rrokut, i tha se sa të ishte gjallë në këtë tokë nuk do ta mohonte fenë. Për ditët e tija të fundit, një dëshmitar ka treguar: “… E mbyllën në bodrum, ku kishte qymyr, dhe atje qëndroi pesë ditë para se ta pushkatonin. U torturua si Krishti, për të pranuar fjalë të pathëna dhe veprime të pabëra e të sajuara, dhe si Krishti, i qetë dhe me dinjitet, pëballoji fyerje dhe vuajtje…”. Para ekzekutimit Dom Deda e priti dënimin me shumë qetësi dhe, si Mësuesi Hyjnor“heshti” dhe qëndroi i qetë para gykatës. Menjëherë u gjunjëzua dhe me gjusmë zëri filloi të thoshte lutjet e fundit. Pastaj përfudoi me zë të fuqishëm: “Para Zotit, në praninë e të cilit jam duke dalë, para jush, të dashur ushtarë, unë deklaroi se më vrisni pa asnjë arsye, por vetëm për urrëjtje ndaj Kishës katolike. E them këkë, pa urrejtje kundër atyre që do të më pushkatojnë. Rroftë Krishti mbret! Rroftë Papa! Rroftë Shqipëria!”. Edhe Krishti në çastin e fundit të jetës së tij me guxim tha: “Fali, o Atë, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”. Martir i fesë ka marrë pjesë në Ngjalljen e Krishtit. U varrosën, le të themi, pak larg vendit të ekzekutimit, në brigjet e lumit Vjosa në Përmet. Ishte pak me shumë se 27 vjeç. Trupi i tij nuk u gjet.

    1. Të lutemi:

    O Jezus, Shpëtuesi ynë, Ti që ke gjetur vdekjen për të na dhënë jetën e amshueshëm,

    jepu të vdekurve gëzimin dhe paqen e amshueshme. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

    Mëshirë për ne, o Zot!

    O Zojë virgjër, Nënë e dlirë,

    Lute Zotin të ketë mëshirë:

    Ti shëlbim prej si na nxier.                                  Nënë e dashur …

    PËRFUNDIMI

    Gjaku i martirëve të tu, o Zot,

    është bërë fara e Kishës sate.

    Na bën të denjtë ta marrim trashëgimin

    e këtyre vëllezërve

    që na kanë parapri në fe

    e bën që dëshmia e tyre të jetë gjithmonë

    shembull e udhëheqje

    në gëzimet e në vështirësitë e jetës.

    Na jep sigurinë që edhe në rrënojat e njeriut

    Ti, o Zot, gjithmonë rindërton e bën të rilindë.

    Nëper Krishtin Zotin tonë. Amen.

     

    Lutja për Kanonizimin e të Lumëve

    Imzot Vinçenc Prennushi me Shokë Martirë

    Trini e Shenjtë,

    Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

    Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

    që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

    të Lumët Vinçenc Prennushi me 37 Shokë Martirë

    si model besnikërie ndaj Krishtit

    dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

    Të lutemi me përvujtëri:

    ashtu si janë të Lumë tashmë në Qiell,

    denjohu tani t’i lavdërosh edhe këtu në tokë

    duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

    dhe që, me ndërmjetësinë e tyre të përbashkët,

    me besim të kërkojmë… (këtu bëhet kërkesa).

    Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

    Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

    Shembulli i martirëve tanë na ndhimoftë të jemi dëshmitarë të fesë në historinë tonë të përditshme. Amen!

    SHTOJCË

     

    1-  Imzot Vençenc  Prennushi,  Arqipeshkëv

    Lindi në Shkodër më 04.09.1885. Kushtet e Përjetshme i bëri në Salisburg (Austri) më 12.12.1904. U shugurua meshtar po në Salisburg më 19.03.1908. U zgjodh ipeshkëv i Sapës më 27.02.1936 dhe u shugurua në Shkodër më 19.03.1936. U transferua në selinë arqipeshkvnore të Durrësit më 26.06.1940. U arrestua më 19.05.1947 dhe u dënua me 20 vjet burg më 24.12.1947. Vdiq në burgun e Durrësit prej infarktit, shkaktuar prej keqtrajtimeve, torturave dhe kushteve të këqija ku jetoi, më 19.03.1949. Trupi i tij pushon në kishën e Shën Luçisë në Durrës. Martir i fesë.

    2-  Dom Lazër  Shantoja

    Lindi në Shkodër më 02.09.1892. U shugurua meshtar në Shkodër më 29.05.1915. Kapelan ushtarak, zëvendës-famullitar në Shkodër, famullitar në Pulaj (Velipojë) dhe pastaj në Sheldi. Kancelar dhe Noter arqipeshkvnor. Sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës. Si i arratisur, nën regjimin e Ahmet Zogut, qe në Beograd dhe pastaj në Zvicër si kapelan në Schwandegg, zëvendës-famullitar në Biel dhe famullitar në La Motte. Kur u kthye në Shqipëri, në tetor të vitit 1939, veprimtarinë e vet baritore e zhvilloi duke banuar kryesisht në Tiranë. U arrestua në Sheldi në fund të dhjetorit të vitit 1944 dhe u burgos në Shkodër. U dënua me vdekje në Shkodër më 30.01.1945. Gjykata e Lartë e Tiranës konfirmoi dënimin e tij me vdekje më 02.02.1945. U pushkatua në Tiranë më 05.03.1945.

    3-  Dom Ndre  Zadeja

    Lindi në Shkodër më 03.11.1891. Pasi bëri shkollën fillore dhe atë të mesme hyri në Seminarin e Shkodrës dhe më pas shkoi në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar në Shkodër më 24.04.1916. Qe Sekretar i arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Jak Serreqit; zëvendës-famullitar i kishës Katedrale të Shkodrës; famullitar i Barbullushit (Jush e Mal i Jushit), Bogës, Shkrelit dhe Sheldisë. U arrestua në Sheldi dhe u burgos në Shkodër më 04.02.1945. U dënua me vdekje pa gjyq dhe u pushkatua më 25.03.1945. Trupi i tij u zhvarros prej varrezave katolike të Shkodrës me rastin e Lumnimit.

    4-  Atë Danjel  Dajani, S.I.

    Lindi në Blinisht të Zadrimës më 02.12.1906. Studioi në Seminarin Papnor Shqiptar të Shkodrës, Filozofi e Teologji studioi në Kieri (Itali), pranë Jezuitëve. U shugurua meshtar në Kieri më 15.07.1938. Pjesë e Misionit Shëtitës së Jezuitëve. Mësues i gjuhës latine, greke dhe asaj shqipe, i filozofisë dhe i matematikës pranë Seminarit Papnor Shqiptar. Drejtor i revistës “Lajmëtari”. Prej datës 27.09.1945 Rektor i këtij Seminari dhe i Kolegjit Saverian deri në pushkatim. U arrestua më 31.12.1945 dhe u dënua më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me të sivëllain Atë Giovanni Fausti-n S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

     

     

    5-  Atë Giovanni  Fausti, S.I.

    Lindi në Broco të Markenos (Bresha-Itali) më 19.09.1899. U shugurua meshtar në Romë më 09.07.1922. Prej vitit 1928 deri në vitin 1932 qe Misionar në Shqipëri dhe dha mësim Shkrim të shenjtë e Teologji në Seminar. Për arsye shëndetësore u largua nga Shqipëria. Në vitin 1942, sërish në Shqipëri, u emërua Rektor i Seminarit Papnor Shqiptar dhe i Kolegjit Saverian të Shkodrës. Për arsye të luftës la shkollën dhe u transferua në Tiranë. Më 14.04.1945 u emërua Zëvendës-Provincial i Jezuitëve në Shqipëri dhe u kthye në Shkodër. Dha mësim lëndët: Shkrim i shenjtë, Dogmatikë e Filozofi. Po ashtu qe Mësues formimi dhe censor librash. U arrestua më 31.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me të sivëllain Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M.,Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

    6-  Mark  Çuni, Seminarist

     

    Lindi në Rranxa të Bushatit më 30.09.1919. Shkollën fillore e bëri në vendlindje dhe pastaj i vazhdoi studimet në Seminarin Papnor Shqiptar. Seminarist, ndiqte vitin e tretë të Teologjisë. U arrestua më 07.12.1945 dhe u burgos në Shkodër. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Giovanni Fausti-n S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M., të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

     

    7-  Atë Gjon  Shllaku, O.F.M.

    Lindi në Shkodër më 27.07.1907. Studimet universitare i bëri në Lovanio (Hollandë) dhe në Paris. U shugurua meshtar më 15.03.1931. Dha mësim filozofi, gjuhë frënge, politikë dhe ekonomi në Liceun Illyricum të Fretërve Minorë. Për një periudhë të shkurtër qe, dy herë, zëvendës-famullitar në Theth dhe, prej datës 14 korrik deri më 27 nëntor 1945, në Nikaj, duke zëvendësuar Atë Dioniz Makajn, njëri prej fretërve të parë të arrestuar. U arrestua në Shkodër më 15.01.1946, ndërsa jepte mësim në klasë. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Giovanni Fausti-n S.I., Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

    8-  Qerim  Sadiku, Laik

    Djali i Sadikut, mysliman, dhe i Lenës, katolike, lindi në Vuthaj (Kosovë) më 12.02.1919. U pagëzua kur ishte 10 vjeç, pas vdekjes së të atit. I martuar me Marije Vatën në shtator të vitit 1944, djali i vetëm që patën, të cilin e quajtën Gaspër, lindi 21 ditë pas arrestimit të tij dhe Qerimi nuk e pa kurrë atë. I dioqezës së Shkodrës, tani Shkodër-Pult. U arrestua dhe u burgos në Shkodër më 03.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Giovanni Fausti-n S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të riun Gjelosh Lulashi e të tjerë.

     

     

    9-  Gjelosh  Lulashi, Laik

    Lindi në Ndreaj të Shoshit (Dukagjin) më 02.09.1925. I dioqezës së Pultit, tani Shkodër-Pult. Qysh në moshën 7 vjeçare ka ndjekur shkollat në Shkodër te Fretërit Minorë dhe pastaj në Seminarin Papnor Shqiptar. Ushtarak. Ishte Sekretar i Spitalit Ushtarak të Shkodrës. U arrestua dhe u burgos në Shkodër më 03.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Giovanni Fausti-n S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të riun Qerim Sadiku e të tjerë.

     

    10 – Fran  Mirakaj,  Laik

    Lindi në Kodër Qurk të Iballës (Pukë) më 13.08.1916. Ishte martuar me Prenda Alija Kamerin prej tetorit të vitit 1934. Bujk dhe tregtar. Kryefamiljar. I dioqezës së Sapës. U arrestua në Iballë dhe u burgos në Shkodër më 24.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me Atë Danjel Dajanin S.I., Atë Giovanni Fausti-n S.I., Atë Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

    11-  Dom Alfons  Tracki

    Lindi më 02.12.1896. I Dioqezës së Shkodrës. U shugurua meshtar në Shkodër më 14.06.1925. U emërua zëvendës-famullitar i Katedrales së Shkodrës, pastaj famullitar i Pulajve (Velipojë). Prej vitit 1943 u emërua zëvendës-famullitar i Dom Mikel Koliqit në Katedralen e Shkodrës. U arrestua në Shllak më 14.02.1946, në zonën e Mazrrekut, ku ishte strehuar meqë, duke qenë gjerman, konsiderohej si spiun. Po atë ditë u dërgua në burgun e Shkodrës. U dënua me vdekje më 17.07.1946 dhe një ditë më pas u pushkatua.

    12-  Dom Josef  Marksen

    Lindi në Worringen (Gjermani) më 02.08.1906. I dioqezës së Durrësit, tani Tiranë-Durrës. Filozofinë e bëri në Shën Augustin dhe Teologjinë në Mölding (Vjenë-Austri). U shugurua meshtar në Mynih më 21.06.1936. Kur erdhi në Shqipëri punoi në Kthellë, pastaj prej vitit 1937 qe famullitar në Perlat dhe prej vitit 1943 në Jubë të Durrësit. U arrestua në Shijak në fillim të shkurtit të vitit 1945. U burgos në Tiranë, ku u dënua me dy vjet burg dhe u mbyll në burgun e sigurisë së lartë të kriminelëve të luftës. E vranë me armë ndërsa e lëshuan të arratisej më 16.11.1946.

    13-  Dom Luigj  Prendushi

    Lindi në Shkodër më 24.01.1896. I dioqezës së Sapës. U shugurua meshtar në Saluco (Kuneo-Itali) më 12.03.1921. Qe famullitar në Dardhë (1923-1925), Shllak (1925-1930), përsëri në Dardhë (1930-1932), Koman (1932-1942), Dush (1942-1943) dhe në fund në Naraç prej nga ku shërbente edhe Kaçën e Shelqetin. U arrestua në Naraç dhe u burgos në Shkodër më 08.12.1946. U dënua me vdekje më 16.12.1946, u pushkatua në Shelqet më 24.01.1947 in odium fidei. Trupi i tij u zhvarros prej varrezave katolike të Shkodrës me rastin e Lumnimit.

     

    14-  Dom Dedë  Maçaj

    Lind në Mal të Jushit më 05.02.1920. Filozofinë dhe Teologjinë e bëri në Romë dhe në vitin 1944 mori Liçencën në Teologji. U shugurua meshtar më 19.03.1944. U emërua zëvendës-famullitar i Katedrales së Shkodrës dhe, gjatë vitit 1946, famullitar i Sheldisë. E thirrën ushtar dhe bëri dy muaj ushtri në Përmet. U arrestua dhe u burgos gjatë shërbimit ushtarak në Përmet më 10.03.1947. Me një gjyq-farsë u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 28.03.1947.

     

     

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.