Urimi i Pashkëve nga Imzot Angelo Massafra

214
0
Share:

Të dashur vëllezër e motra,

dëshiroj edhe një herë t’ju drejtohem ju që gjatë ecjes kreshmore jeni larguar “prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm” (1Sel 1,9-10).

Në rrugën tonë, të skanduar nga ritmi i të dielës, kemi qenë të udhëhequr nga Shpirti drejt një njohje më të madhe të Jezusit, tani në Triditëshin e Shenjtë sodisim dhurimin e tij të plotë Atit dhe neve “duke e zhvleftësuar dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq” (Kol 2,14). Në këtë mënyrë, duke u bashkuar me Të me krejt veten tonë, jemi të gatshëm ta përtërijmë fenë tonë pagëzimore gjatë Shërbesës që kremtojmë natën e Pashkëve.

E dimë, megjithatë, se shëlbimi i kryer nga Jezusi është pikërisht për ata që e mirëpresin dhe bashkohen me Të në Pagëzim, por e dimë edhe se ky shëlbim i përket mbarë botës. Nuk mund t’i harrojmë, në atmosferën e festës, gjithë ato situata vuajtjeje dhe dhimbjeje që presin shëlbim e që na përkasin qoftë ne të krishterëve, por edhe atyre që nuk janë të krishterë. Luftëra, përndjekje, shkatërrime mjedisore, por edhe ligësi, mos marreveshje, perçarje, thashetheme dhe bota e krimit,  janë në rendin e ditës dhe nuk mund të na lënë indiferentë.

Sigurisht, e njohim vlerën shëlbuese të vuajtjes nëse bashkohet me Kryqin e Krishtit, siç e dimë edhe se e keqja është gjithnjë në veprim dhe korr vazhdimisht viktima. Por Ngjallja e Jezusit mund të jetë për të gjithë arsye shprese e, në mënyrë të veçantë për ne të krishterët, rast angazhimi.

Shpresë për të gjithë, mbasi e keqja dhe vdekja janë mundur përfundimisht nga Jezusi i Ngjallur: “O vdekje, ku është ngadhënjimi yt?” (1Kor 15,55-56a). Në Krishtin bota mund të ketë shpresë që, duke mposhtur mëkatin, të mund të përurohet një jetë e re, qysh tash këtu në këtë tokë, në pritje të qiellit të ri dhe të tokës së re  (khs. 2Pjt 3-13).

Angazhim për ne të krishterët sepse, në përtëritjen e premtimeve pagëzimore, i paraqitemi botës si shëmbëlltyrë e gjallë e Krishtit, me jetën e re të përuruar nga Pashka e tij dhe të jetuar në jetën e përditshme.

 

Ja, të dashur besimtarë: katolikë, ortodoksë dhe të gjithe të krishterë, urimi që ju bëj për këtë Pashkë të Shenjtë 2017: “Vishuni me Jezu Krishtin” (Rom 13,14) “pasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë” (Kol 3,12). Kështu edhe ne, si Apostulli Pal, do të mund të themi: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2,20). E bota të besojë dhe të shpëtojë.

 

Urime.   Per shumëvjet PASHKET.

 

 

+ Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.