Varrezat, një qytetërim post osman.

345
0
Share:

Doja ta filloja këtë shkrim për Varrezat e Rrëmajt, duke iu referuar një artikulli të botuar në ‘Gazetën Shqiptare’ (dt. 21 prill 2011) nga arkitekti i njohur Artan Shkreli, citoj: “Nëse ka një dëshmi të artit ndërtimor, të ngritur në nivel qytetar, ai ndodhet padyshim në monumentet funerale të Varrezave të Rrmajit në Shkodër”… “Në pikëpamje urbanistike, për periudhën e ngjizjes së qytetit post-osman, ajo ka rëndësi të dorës së parë në formimin e idesë mbi formulimin e varrezës urbane në hapësirën shqiptare…”. Nëse do t’i referohemi shkrimeve të moçme, fshati Rrmaj (Remaj, Ermaj) apo Fusha e Rrmajit, gjendej në periferi të Shkodrës, atje ku lumi i Kirit me zallin e tij i afrohet fare pranë lagjeve të atij qyteti, i cili në këtë pjesë fushore gjatë shekullit XVIII ishte në zgjerim e sipër. Lidhur me emrin e asaj varreze, kjo mund të përcaktohet nëse do të marrim parasysh fjalën shqipe “rrëmoj” (në dialektin shkodran, gërmoj), të mbështetur nga gjuhëtari i njohur shqiptar, Prof.Eqerem Çabej. Por, si toponim mund të jetë i vjetër sa dhe vet lumi Kir, i cili me ujin e tij të furishëm vazhdimisht ka rrëmuar tokën në zonën e Shkodrës.
Shtrohet pyetja qëkur ka marrë emrin “Vorret e Rrmajt”? Nga dëshmitë e ndryshme gojore, flitet se që nga koha e ilirëve, aty kanë qenë varreza të ushtarëve romakë dhe gjatë shekujve emri është transformuar në trajtën nga Remaj, Ermaj, Fusha e Rremajt, në Vorret e Rremajt. Por, në dokumente të shkruara, sipas konsullit italian, Ermannno Armao, si toponim figuron që në shek. XVII. Sipas një relacioni venecian, thuhet se në vitin 1610, meshtarët (klerikët katolik) kanë kërkuar lejen nga veziri i Shkodrës që të mund të celebrojnë meshë në periferi të qytetit në fshatin Rrmaj, pasi brenda qytetit kjo gjë ishte e ndaluar rreptësisht. Në relacionin e Imzot Pal Kamsit, ky fshat në vitin 1745, figuron si pjesë e famullisë së top-hanes (Shkodrës) dhe kishte 16 shtëpi me 96 katolikë. Duke pasur parasysh shënimet e mësipërme, na lind e drejta të kuptojmë se ceremonitë fetare në Rrmaj, mund të kenë filluar që nga momenti i paraqitjes së kërkesës në vitin 1610, për celebrimin e meshës në këtë pjesë fushore 5 kilometra nga Shkodra, në një ndër shtëpitë private.
Nuk është larg mendjes që të kuptojmë se që nga ky vit duhet ta ketë zanafillën e vet rikrijimi i këtyre varrezave katolike për qytetin e Shkodrës nga banorët, të cilët për shkak të dhunës osmane, të dashurit e tyre më parë i kanë përcjellë përtej lumit Buna, në varrezat e Zarufës në Shirokë. Që në fshatin Rrmaj, ka pasur një jetë aktive fetare, dëshmon dhe fakti se nga ky vend, sipas relacionit të vitit 1745 të Pal Kamsit, ka dalë emri i priftit Dom Nikollë Kamsit nga fshati Rrmaj. Pastaj, kemi dëshmi të drejtpërdrejtë se në vitin 1777, në varrezat e fshatit Rrmaj është celebruar mesha nga klerikët e Shkodrës dhe po këtu, popullata me vendim të ipeshkvit ka mundur të marrë ndjesën e plotë për mëkatet që i kanë bërë gjatë një viti. Nëse do nisemi nga mbishkrimet e disa epitafeve që janë skalitur nëpër pllakat e varreve të ndryshme që ndodhen në atë varrezë, nga ato që mund të lexohen në gjuhën latine, italiane e shqipe, rezulton se disa prej varreve janë të gjysmës së parë të shek. XVIII. Ndërsa, nga dokumentet e shkruara, rezulton se ipeshkvi i parë i varrosur këtu është, Imzot Anton Dodmasej, ipeshkvi i Pultit në vitin 1816, pastaj Imzot Françesko Borci, ipeshkëv i Shkodrës në vitin 1823 e me radhë. Në dokumentet e kohës, në afërsi të varrezave të vjetra dalin në pah edhe një palë varreza të tjera në lagjen Badre, të cilat janë quajtur varrezat e Topichit, të themeluara nga ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gjon Topich, nga Spliti, rreth vitit 1858. Këto varreza si dhe ato të vjetrat shfaqen në hartën topografike të qytetit të Shkodrës hartuar nga etërit Jezuit në vitin 1923.
Varrezat, një qytetërim post osman.
Bartja e eshtrave të të vdekurve nga varrezat e reja në ato të vjetra do të ketë ndodhur gjatë viteve 1930-1935, kur kjo lagje, sipas hartës topografike të vitit 1938, tashmë figuron si vend i mirëpopulluar me banorë të qytetit të Shkodrës.Duke parë rëndësinë historike dhe arkitekturore që kanë këto varreza, Arqipeshkvi, Gaspër Thaçi, në vitin 1936, ndërmori një aksion duke bërë, zgjerimin, meremetimin, risistemimin e varrezave dhe rindërtimin e një kishe-kapelë të re më funksionale nga ajo e vjetra, e cila ishte në gjendje të keqe fizike. Kjo kishë-kapelë e cila e ka formën e Akropolit të Athinës, si dhe projekti i sistemimit të varrezave u realizuan nga nxënësi i At.Gjergj Fishtës, inxhinieri, Ludovik Zojzi. Puna e finalizuar u inauguruar në vitin 1937 nga vetë kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi. Duke parë varret e vjetra që ndodhen në atë varrezë, por edhe ato më të rejat me syrin e një artisti profesionist, shihet qartë mjeshtëria e ndërtimit të tyre, që nuk ndryshon shumë edhe nga varrezat e vendeve të ndryshme të Evropës Perëndimore. Kjo tregon se qytetërimi postosman në traditën kulturore të qytetit të Shkodrës, ka qenë i fuqishëm e i pranishëm gjatë rilindjes sonë kombëtare. Më parë dhe sot flitet për gjurmët tona identitare, nga koha e lashtë dhe deri te rilindja jonë kombëtare. Flitet për varret e etërve dhe gjyshërve tanë, të cilët me vetëflijim, ringjallën kombin, historinë, gjuhen dhe kulturën evropiane. Flitet për vendet e shenjtëruara nga kujtimi i burrave e grave që bënë Shqipërinë dhe ruajtën genin tonë nga tjetërsimi. Këto figura, me shpirt gjenden pranë Hyjit, kurse me trup e hir prehen në Varrezat e Rrëmajt.
Aty prehen familjet e: Muzhanëve, Shirokajve, Sumajve, Marubëve, Jubanëve, Jakovëve, etj, persona të shquar që bënë emër në fusha të ndryshme në historinë e Shqipërisë: inxhinierët Gjovalin Gjadri, Augustin Briot, (projektues i urës së Bunës, prefekturës së qytetit të Shkodrës), Ludevik Zojzi, Kol Idromeno Pjetër Marubi, Simon Rrota, muzikologët: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Leonard Deda, letrarët: Hilë Mosi, Kolë Mirdita, Frederik Rrepshja, Kolë Ashta, mjekët Dr.Frederik Shiroka, Terezina Suma e shumë figura të tjera. Në këto varreza prehen eshtrat e klerikëve, krijues të kulturës shqiptare At Giacomo Jungut, Atë Anton Xanonit, Atë Pashko Bardhit, Dom Ndoc Nikajt, Dom Ndre Zadejës, etj. Po këto varreza mbajnë misterin e eshtrave të: Dom Ndre Mjedës, At Gjergj Fishtës, dhe klerikëve të lartë kishtarë që dhanë kontribut të paçmuar në pavarësinë e Shqipërisë si: Imzot Karlo Pooten, Imzot Pashk Guerrini, Imzot Lazer Mjeda, dhe më vonë Imzot Gaspër Thaçi; eshtrat e këtyre të fundit në vitin 1967, u tërhoqën nga katedralja e Shkodrës për në Varrezat e Rrmajt dhe sikur u zhduken duke mos lënë asnjë gjurmë.Varreza e Rrmajt, janë të njohura edhe për diçka tjetër: Për plumbat breshëri të lëshuar mbi dhjetëra klerikë katolik intelektualë, të pafajshëm të ekzekutuar gjatë diktaturës komuniste në vitin 1945-1948. Ata u pushkatuan pa gjyqe e me gjyqe false, te muri i jashtëm i varrezave, buzë lumit Kir, pranë Çinarit të Zef Zorbës, për arsye se donin që Shqipëria të jetë perëndimore. Ndër ta numërojmë: Ndre Zadeja, Lazër Shantoja, Çiprijan Nika, Giovani Fausti, Daniel Dajani, etj. Kjo gjë ka bërë që, pas lirisë fetare në vitin 1990, e deri në ditët e sotme, aty të shtohet numri i atyre që shtegtojnë për t’i nderuar jo vetëm të rënët në këto varreza, por edhe të gjithë martirët e tjerë të pushkatuar, të vdekur nëpër burgje e arreste shtëpie, e të torturuar pafundësisht, anë e mbanë Shqipërisë deri në vitin 1980. E bilanci ishte tmerrues, 2 arqipeshkëv, 5 ipeshkëv, 1 abat, 65 priftërinj dioqezanë, 33 françeskanë, 14 jezuitë, 10 seminaristë dhe 8 murgesha.Diktatura komuniste për t’i zhdukur gjurmët e krimit dhe kujtesën historike të varrezave, në vitin 1970-72, pat mbyllur Varrezat e Rrmajt, duke i hapur ato në Stom Golem, për të gjithë qytetaret pa dallim besimi e kombësie. Pas përmbysjes së diktaturës dhe ardhjes së demokracisë, më 4 nëntor 1990, pikërisht në këto varreza u celebrua mesha e parë nga Dom Simon Jubani, në praninë e një mase të madhe populli ende të frikësuar. Ishte ky një triumf i Zotit dhe gjakut të atyre që dhanë jetën për një Shqipëri ndryshe.
Odiseja e varrezave pas vitit 1990 dhe viti jubilar
Pas hapjes së këtyre varrezave, filloi odiseja jo e këndshme e kësaj varreze legjendare shumë shekullore. Nga dëshira e madhe që të gjithë të besimit katolik të jenë varrosur aty, madje edhe atyre të ardhur, ndodhi tkurrja e hapësirës së lirë dhe mbivendosja e varrezave, madje erdhi deri tek shkatërrimi i varrezave pa emërtime dhe atyre për të cilat nuk kishte kush të kujdesej. Në këtë rrëmujë ndërtimesh të pa kontrolluara kanë mundur të jenë zhdukur eshtrat e shumë personaliteteve të shquara, laike e kishtare. Me qëllim të ruajtjes së vlerave urbanistike dhe marrjes në kontroll të situatës shkatërruese, Ministria e Kulturës me kërkesë të Zyrës Famullitare Shkodrës, në vitin 2007, varrezat i shpalli Monument Kulture. Mirëpo as ky vendim qeveritar nuk solli rezultatin e duhur për shkak se brenda varrezave vazhdonin të vepronin disa firma private të pa kontrolluara nga askush. Rreth këtij problemi kam ngritur në këmbë opinionin publik me një shkrim të botuar te “Gazeta shqiptare” dt. 15 prill 2011. Zbutja e situatës shkatërruese erdhi pas emrit nga ana e Zyrës famullitare të një firme të vetme për mbikëqyrjen të plotë të varrezave dhe punës me vigjilente të famullitarit të atëhershëm, Dom Gjovalin Sukaj. Me emrin e famullitarit të ri të zyrës famullitare të Shkodrës, në vitin 2014, Dom Artur Jaku, varrezat u morën nën kontroll të plotë, duke shpëtuar atë çfarë mund të shpëtohej.
Duke qenë se ky është vit jubilar, 25-vjetori i meshës së parë të celebruar në këto varreza më 4 nëntor 1990, nga D.Jubani, u pa nevoja për kryerjen e disa punimeve të domosdoshme në kishën kapelë dhe në murin rrethues. Me kërkesën e këtij viti të famullitarit të Shkodrës Dom Arturit, drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Ministria e Kulturës mori përsipër financimin për restaurimin e kishës kapelë të varrezave, punimet të cilat janë duke ecur me ritmin e duhur. Kurse, punimet në murin rrethues janë duke u ndihmuar nga individë të caktuar nga Shkodra dhe diaspora shqiptare në Amerikë. Pritet çdo gjë të kulmojë me festen qendrore që do mbahet me 4 nëntor të këtij viti në qytetin e Shkodrës. Duhet theksuar së është në përfundim edhe harta topografike dhe planimetria e varrezave, e realizuar nga topografi Bepin Pistulli. Duke soditur gjithë këtë histori shqiptare, kuptohet shumë qartë se Varrezat e Rrmajt, janë për ne shqiptarët, si ato çfarë janë të Parisit për francezët dhe ato të Romës për italianët.

 

Dom Nikë Ukgjini / Famullitar i Kuklit

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.