I vetmi faj, për të cilin ndodhem këtu, asht se e deshta fort Krishtin…

4183
0
Share:

Nga dy kabinat e banjove të sigurimit të shtetit në Shkodër, dilnin rënkime aq të tmerrshme, sa dridheshin deri muret. Në njërën ishte mbyllur një djalosh në lule të moshës. Skelet i gjallë. I mbuluar me plagë. E megjithatë, vijonin ta qëllonin me qytën e pushkës. Derisa trupi mbetej i varur në tubin e ujit, pa frymë. Po ata vijonin ta godisnin, edhe pse nuk i kishte mbetur më asnjë kockë pa thyer. Derisa rënkimi shuhej.

Pas murit të banjos, ku torturohej meshtari i ri, një vashë gjysmë lakuriqe, e lidhur edhe ajo njëlloj pas tubit. Ishte Ana Daja, trimoshja, që e mbajti në thile të xhaketës distinktivin e Bijave të Zojës, derisa e mbyllën në atë birucë të qelbur.

Djaloshi e vasha dëgjonin ditë-natë rënkimet e njëri tjetrit, në të dyja anët murit. E meshtari i ri, sa herë zgjohej nga kllapia, i fliste asaj, dëshmitares, me bindjen se ajo ishte ende e fortë e do të dilte e gjallë nga ky varr.

“Të lutem. Amanet! M’i thuaj të mive, të Kishës e të shtëpisë, se jam krejt i pa faj. I vetmi faj, për të cilin ndodhem këtu, asht se e deshta fort Krishtin e të afërmin, e nuk pranova t’i tradhtoj për asnjë çast. Nuk jam fajtor. Nuk po shkeli në Gjetsemanin tem si Juda, por si njeri, që mundohet me i përgia Zotit të vet!”.

Ashtu, të dërmuar, e nxorën para gjyqit.

Atë Zef Pëllumbi, në librin e tij të mirënjohur “Rrno vetëm për të tregue”(fq 200-201) e përshkruan kështu takimin  fundit me të, para një gjykate, që dënonte  12 vetë, të gjithë klerikë. Ndërmjet tyne, tre me pushkatim e dy me burgim të përjetshëm:

“Kur hyni trupi gjykues, u çuen të gjithë në kambë. Edhe na, përveç dom Anton Muzajt…. U lexue prej kryetarit vendimi i formuluem gjatë e stërgjatë, me ato provat bindse, që zakonisht bien të gjithë xhelatët e botës. Prova bindëse, që nuk bindin askënd…

… Mbas shpalljes së dënimit, filluen përshndetjet me ata, që niseshin për një jetë tjetër. Edhe përshëndetjet me dom Anton Muzajn kishin diçka të jashtzakonshme. Vërtetë se vendimi i gjyqit ishte për lirim, por ai vetë e të gjithë, e dijshim se lirimi i tij ishte vetëm qiella”.

http://sq.radiovaticana.va/

dom-anton-muzaj

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.