“Vuajtja sigurisht nuk është e pëlqyeshme, por fisnikëron fitoren e arritur” 6 Shkurt 1967 – 2017

1690
0
Share:

Në përfundim të kësaj dite në të cilën kemi dëshiruar të kujtojmë dhimbjen e shkaktuar Shqipërisë nga vendimi i Enver Hoxhës e datës 6 shkurt 1967, është ngushëlluese të dëgjojmë mesazhin e shpresës që na jep Fjala e Hyjit në këtë kremtim eukaristik, në vend që të përsëriten më kot ato pohime blasfemuese. Një mesazh, ai i Shkrimit të Shenjtë, që na kthen atë dinjitet që na është marrë atëherë kur, duke deklaruar “vdekjen e Hyjit” dhe duke u mbrojtur pas një ideologjie të korruptuar, të imponuar me anë të terrorit, një njeri i vetëm i jepte vetes të drejtën të cenonte lirinë e njerëzve të tjerë. Përballë Fjalës krijuese të Hyjit, Shqipëria zgjidhte fjalën shkatërrimtare të diktatorit të vet.

Por Shkrimi i Shenjtë na mëson se Fjala që ka dalë prej Hyjit nuk mund të ndalet: ajo vazhdimisht realizon atë që shpall, krijon dhe rikrijon, shpall shpëtimin dhe e realizon atë. Jezusi, Fjala e gjallë e Atit, e ka realizuar atë shpëtim, dhe veprimi i saj nuk mund të ndalet nga askush. Pavarësisht prej çdo pengese që i nxirret përpara gjatë gjithë harkut të historisë njerëzore deri në ditët tona, kur është ende në veprim përpjekja për ta zëvendësuar atë me ide të tjera, me parime të tjera, bij të së njëjtës utopi shkatërrimtare të 50 vjetëve më parë, Fjala e Zotit shpallet, kalon në mesin tonë, dhe pret vetëm që duar dhe zemra plot me dëshirën për shpëtim të shkojnë drejt Tij për t’i prekur të paktën petkun dhe për t’u shpëtuar.

Është ajo që ka ndodhur në më shumë se njëzet vjet ateizëm shteti, dhe është ajo që ka ndodhur në këta 26 vjetët e fundit: persona të guximshëm sikurse Martirët tanë i kanë shtrirë duart e tyre dhe drejtuar zemrat e tyre nga petku i Krishtit dhe tani jetojnë në Lumninë e Shenjtërve dhe në lumninë e pamjes së tokës së tyre, për të cilën kanë dhënë jetën, të lirë prej shtypjes; heronj të thjeshtë të jetës së përditshme kanë ruajtur brenda mureve të shtëpisë zjarrin e gjallë të fesë në Shpëtimtarin dhe kanë vazhduar ta përçojnë atë kundër çdo pengese të dhunshme; të fortë prej Fjalës së Jezusit që na fton të hedhim rrjetën për peshkimin e mrekullueshëm, kemi rindërtuar kishën prej tullash dhe Tempullin e Hyjit të gjallë që janë besimtarët.

Por më lejoni të përfitoj nga rasti që të shpreh edhe shqetësimin tim përballë një përpjekjeje të vazhdueshme të kulturës moderne, më pak e dhunshme, por po aq joshëse dhe depërtuese siç qe ajo e diktaturës ateiste, pra shekullarizmi dhe materializmi që shpërthen dhe shoqërohet me një indiferentizëm të fortë.

Po shkojmë drejt një periudhe që mund të paraqitet mjaft e vështira, edhe një herë, për fenë në Shqipëri: edhe pse kishat nuk do të shkatërrohen si në kohën e diktaturës, ato gjithsesi do të zbrazen prej vrapimit drejt idhujve të tjerë, si ai i PASJES me çdo kusht, i PUSHTETIT që do të na bëjë të shkelim mbi njëri-tjetrin, i QEJFIT pa respekt për vetveten dhe për të afërmin. Një Kishë që shpall lumturitë, mjerisht, është e destinuar ta shohë vetveten të privuar prej bijve të vet të mashtruar nga një thërrime buke të fituar pa mund, në vend të një sofre të begatshme të pasur me bekim e shpëtim që, në të vërtetë, mund të arrihet vetëm duke u bashkuar me Krishtin dhe me Ungjillin e tij.

Ky shqetësim nuk është vetëm i imi: në mënyrë të përsëritur Ati i Shenjtë Françesku është duke paralajmëruar për këto rreziqe që kërcënojnë fenë e të pagëzuarve. Jemi bij të kohës sonë dhe i ndiejmë ndikimet kulturore të epokës në të cilën jetojmë. Ndoshta është e vërtetë se kishat do të zbrazen, por, si bari, nuk mund të humb besimin dhe shpresën që vijnë prej Hyjit, ashtu sikurse me shumë dashuri nxis veten dhe të gjithë ju që ta merrni seriozisht pagëzimin i cili na ka bërë bij të Hyjit duke na bërë të ngjashëm me Krishtin.

Prandaj, në këtë rast, dua të përsëris dy fjali të thëna prej të Lumit tonë Çiprjan Nikaj ndërsa ishte në burg për arsye të fesë. Ai ka thënë: «Mos u shqetësoni nëse kishat dhe kompanjelet do të shkatërrohen, janë prej tullash e gurësh dhe të gjitha do t’i ndërtojmë edhe më të bukura. Por duhet të shqetësohemi për rininë, që të mos i humbë vlerat morale fetare». Ja, vëllezër e motra, ky është dhe duhet të jetë shqetësimi ynë i vërtetë: t’u komunikojmë brezave të reja vlerat morale fetare. Sepse pa Hyjin nuk është e mundur një jetë morale dhe etika, edhe ajo laike, që do të duhej të kishte lidhje me të gjitha fushat, rrezikon t’i nënshtrohet praktikës, në vend që t’i prijë asaj. Në të vërtetë, kur njeriu nuk vepron ashtu si mendon, përfundon të mendojë ashtu si vepron. Dhe kjo po ndodh mjerisht në ditët tona.

E, gjithnjë duke cituar të Lumin, kujtoj angazhimin që më takon mua si ipeshkëv, meshtarëve dhe rregulltarëve, por edhe të gjithë ju besimtarëve në Krishtin të cilëve Jezusi u ka thënë: “Ju jeni drita e botës”. Kështu është shprehur Atë Çiprjan Nikaj: “por në këtë situatë kam një mision më shumë se të tjerë: duhet të ndez dritën kudo ku ajo rrezikon të fiket”. Dhe për ta nxitur edhe më shumë bashkëbiseduesin e vet, ka shtuar: “Vuajtja sigurisht nuk është e pëlqyeshme, por fisnikëron fitoren e arritur”.

Atëherë, si t’ia bëjmë për të qenë “ndezës të dritës”, dhe ne vetë “dritë e botës”? Të jemi ne të parët që i drejtojmë duart tona dhe zemrat tona nga Krishti, për të lejuar që Ai të na shpëtojë. Ta bëjmë Ungjillin atë armë jo të përgjakshme, por të fuqishme, që na lejon ende ta lexojmë realitetin e kohës sonë, të dallojmë të mirën prej së keqes dhe të bëjmë zgjedhjet e duhura që orientojnë jetën e secilit besimtar dhe të bashkësive tona të krishtera.

Përsëri, mund të mësojmë prej Atit Krijues që të kemi një vështrim të kthjellët që na lejon të zbulojmë mirësinë në çdo gjë, edhe në atë që nuk shkon, që na duket keq (“Hyji pa se ishte gjë e mirë” na përsëriti si refren leximi i parë), për të përmbledhur qëndrimet e mëshirës dhe për ta shndërruar të keqen në të mirë. Po, bota ka nevojë vetëm që të shohë në vetvete atë mirësi me të cilën e ka pajisur Krijuesi, por nevojitet dikush që t’ia bëjë të ditur: vetëm kështu do të bëjmë që e mira të dalë në pah. Ne mund të jemi ai dikush.

E përsëri, duke vlerësuar kohën që kemi në dispozicion për ta shndërruar nga një kohë kronologjike në një kohë hiri, në një kohë në të cilën prania e Hyjit krijon një ritëm shpëtimi. Dëgjuam në lexim: “Dhe u bë mbrëmje e mëngjes…”. Hyji është “Zoti i kohës”; neve na takon detyra që ta bëjmë kohën tonë të jetë “kohë e Zotit”. Duhet t’i japim vetes gjithë kohën e nevojshme për të qenë me Zotin. Dhe kjo do të thotë marrje e Sakramenteve, dëgjim i Fjalës së Zotit, mbledhje bashkësiore që na lejojnë të reflektojmë në dritën e fesë në lidhje me orientimet më të përshtatshme që duhet të marrim si individë dhe si bashkësi.

Prandaj i nxis të gjitha bashkësitë e krishtera të Dioqezës që të jenë vende të lutjes, të dëgjimit të Fjalës dhe të bashkëndarjes së nxitjeve të Shpirtit Shenjt. Të mos kufizohemi me një baritore të mbajtjes, por të zhvillojmë një veprim misionar “ad intra” për një përtëritje të bashkësive tona dhe kështu, të përballojmë sfidat që na paraqet kjo shoqëri.

E kemi kaluar këtë ditë në shpirt pendese dhe lutjeje, duke i kërkuar falje Hyjit për vitet e shtypjes dhe të ateizmit. Por e kaluara është e kaluar. Tani na presin ditë të reja, plot me atë dritë që buron prej Hyjit dhe që pret vetëm të reflektohet nga të pagëzuarit që, si pasqyra, i thejnë dhe i shumojnë ato rreze aq të fuqishme dhe plot me hir. Vëllezër e motra, le të bëhemi pasqyra për Hyjin, që bota të shohë “Dritën e vërtetë, atë që ndriçon çdo njeri”, Jezu Krishtin Zotin tonë. Atij i qoftë nder e lavd për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

  • Imzot Angelo Massafra
Share:

Leave a reply

Opinion