“Zoja e Shkodrës”, Legjenda dhe piktura që i shpëton shkatërrimit

3065
0
Share:

Fytyra e Shën Marisë është e kthyer nga fëmija i saj ndërsa shikimi ulet poshtë. Vështrimi i kaltër i Jezuit fëmijë është depërtues, ndërsa mbështet njërën dorë në gjoksin e Zojës dhe me tjetrën mbështjell butësisht qafën e saj. Kur një vit më parë “Zoja e Shkodrës”, piktura e shek.. të XIX iu nënshtrua konservimit, specialistja e trashëgimisë dhe restauratorja Edlira Çaushi, thoshte për “GSH” se, “gjendja e saj paraqitej mjaft e degraduar dhe problematike. Shtresa e ngjyrës, thuajse në të gjithë sipërfaqen është e copëtuar dhe krejtësisht e humbur në vende të tjera. Një pjesë e konsiderueshme e ngjyrës së bashku me suportin, në pjesën e poshtme të tablosë mungon krejtësisht. Suporti gjithashtu në të gjithë sipërfaqen paraqitet i deformuar dhe me dëmtime të konsiderueshme”. Të dielën, ditën kur Shkodra shënoi Festën e Zojës, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro njoftoi se, “piktura origjinale e shekullit XIX ‘Zoja e Shkodrës’ ndodhet tashmë në laboratorët e ekselencës në Palazzo Spinelli në Firence për t’iu nënshtruar restaurimit të plotë”. Ka qenë Ministria e Kulturës që ka marrë të gjitha masat për ta transferuar në laboratorët e restaurimit në Firence në bashkëpunim me Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. “Zoja e Shkodrës, shpëtuar nga vitet e zeza të diktaturës falë besimtarëve, e ruante vetëm dashuria e famullitarëve si Dom Artur Jaku, por fatkeqësisht ishte harruar nga sistemi i trashëgimisë kulturore”, shkruante Kumabro, duke njoftuar se, “për Krishtlindje, ‘Zoja e Shkodrës’ do të kthehet në Shkodër si Zojë!”. Ndërkaq, e pyetur nga “GSH”, Arta Dollani, drejtoreshë e IMK-së, është shprehur se “Piktura do të ekspozohet në Sallonin e Restaurimit që zhvillohet në Firence në 10-12 nëntor dhe më pas do të rikthehet pranë Katedrales së Shkodrës”. Vepra nuk dihet se si ka mbërritur në katedrale, madje autori i saj është i panjohur. Në kohën e komunizmit, kur kisha u kthye në pallat sporti, vepra u dërgua në muzeun e ateizmit në Shkodër, prej ku është marrë me ardhjen e demokracisë. Festa e Zojës së Shkodrës, lidhet me një legjendë të vjetër që shtyhet gjer në Mesjetë, kur qyteti do të pushtohej nga osmanët. Legjenda lidhet me të njëjtin imazh si të pikturës, ku shfaqet Shën Maria me Jezusin fëmijë. Kjo figurë ishte në kishën kushtuar Shën Marisë në Shkodër. Gojëdhëna thotë se figura u shkëput dhe e braktisi kishën rrëzë kalasë së Rozafës më 1467, pak para pushtimit të qytetit nga turqit, ndërsa Zoja mori rrugën fluturimthi duke kaluar detin drejt Italisë, e mbajtur nga dy engjëj. Kjo ngjarje u ndoq nga dy shtegtarë shqiptarë, Gjorgji dhe De Sclavisi. Në Itali, ikona e Zojës së Shkodrës u vendos në kishën e Gjenacano, një kishë ndërtuar që në shekullin e dhjetë pranë Romës. Figura e Zojës gjendet ende sot pranë Romës.

NGA: FATMIRA NIKOLLI

http://www.balkanweb.com/

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.