Zoti eshtë e Verteta dhe e Verteta është Hyjnore

2066
0
Share:

Kemi ardhur sot këtu në kalanë e Rozafatit për të kremtuar këtë Meshë Shenjte në nderim të pajtorit të famullisë sonë, martirit të parë të krishtërimit, Shën Shtjefnit.

Historia e këtij qyteti dhe e kesaj famullie ngjizet pikërisht këtu, në këto mure të lashta, brenda të cilëve e verteta flet me po atë lashtësi e marterizim sic kisha e gjithmbarshme ka përjetuar ndër shekuj.

Leximet e sotme teksa na sjellin episodin e vrasjes së Shtjefnit, me teper sesa një histori na paraqesin një rrugëtim mbi të cilën do të ndertohet historia e krishtërimit, histori presekutimesh, në luftën e fuqishme të shpirtit të mbushur me Shpirtin e dhunes dhe urrejtje nga kundershtaret.

Historia e Shën Shtjefnit dhe e kishës së Shën Shtjefnit në kala, janë dy histori përmes së cilave mund ta kuptosh cfarë ndodhi në historinë e kishës në Shqipëri.

Shën Shtjefni sic thuhet edhe tek leximi i parë i marr nga veprat e apostujve, ishte një pinjoll i kishës së Jerusalemit, në fillimet e krishtërimit. Ai vritet me gur sepse predikonte Ungjillin, predikonte mësimet e marra nga apostujt, predikonte atë cfarë ai shihte: “Birin e njeriut në të djathtë”. Për të kuptuar sesa e fortë është lidhja e njeriut me Zotin, e martirit me Zotin, sa real është Zoti tek njeriu, mund të ndalesh tek dinamika e njeriut që përballë gurëve, vdekjes, dhunës, përgjigjet me lutje naltësuese “ o Zot mos jau merr për mëkat”, cfarë madhështie, cfarë force zemre, cfarë pushtimi dashuror është në figuren e këtij martiri e në secilin që përgjatë historisë ka dhënë këtë dëshmi.

Ndersa përmendi Shën Shtjefnin e shekullit të parë, më vijnë ndermend 38 martiret e shekullit XX, ngjan sikur historia ka shkapërcyer 19 shekuj, dhe veprat e apostujtve po flasin për Prendushin, Zadejen, Shantojen, Cunin, dom Ded Malaj, por në fakt historia e krishtërimit ka jetuar  ditë përditë 21 shekuj me skena të ngjashme, me jetë të ngjashme, me martirë të tillë që kanë ushqyer kishën me gjakun e tyre te fesë.

Prandaj sot ndersa kremtojmë Shen Shtjefnin ndjejmë një krenari që edhe tokës sonë nuk i kanë munguar të tillë bijë, të tilla kurora (Stefano-greqisht,kurore), të tilla dëshmi dhe që shpirti i shenjtë ka frymëzuar gjatë gjithë shekujve për të trashiguar e ruajtur thesarin apostolik, fenë në Krishtin, Zotin që atë që na e fton të besojmë e deshmoi vetë, vdekjen në kryq dhe atë cfarë e jeton vetë na e premton edhe neve, ngjalljen nga të vdekurit e jetën e pasosur.

Feja dhe e verteta janë nderveprime substanciale, pasi Zoti eshtë e Verteta dhe e verteta është Hyjnore. Jeta e një të krishterit është hulumtim mbi të Vertetën dhe pjesë e të vertetës. E verteta nuk ka dyanësi, nuk ka keqkuptime, nuk ka hamëndsime, e verteta është vet jeta. Të vertetën njeriu e ka detyrë për të deshmuar, për ta mbrojtur dhe për ta jetuar.  Martirët tanë nuk e mohuan të Vertetën, Zotin, idealin por qëndruan besnik deri në fund duke na dhënë shembullin e qasjes që njeriu duhet të ketë përballë, besimit, të vertetës, jetës.

Katedralja e Shën Shtjefnit, vijëmësi e kishës në të cilën sot po kremtojmë këtë meshë, ka pësuar mbi trupin e vet të njejtin fat, presekutim, shnderrim, shkatërrim, por prap ajo rrnon si një e vertetë që duhet përcuar brezave, pasi kur historia harrohet apo deformohet mund të përsëritet.

Kur dom Ndoc Nikaj shkruante historinë e Shqipërisë,  apo romanin e parë shqiptar, ai perjetonte kalvare mundimesh, por si Shën Shtjefni ishte i mbushur me hir, e po ta marrim historinë që në krye te herës, nuk e kishte të lehtë as Budi, as Bogdani, Barleti, e deri tek brezi i fundit, atë Zef Pllumi etj por të gjithë qëndruan sipas porosisë së Mësuesit. “Kush do të qëndrojë deri në fund do të shelbohet”.

Besimtarë të dashur, duke cmuar historinë, trashëgiminë e pasur, duhet së bashku të luftojmë për të Vertetën, për paqën, duhet të luftojmë për të ndertuar kulturen e pranimit të tjerit, kulturen e dhurimit, duhet që mbi themelet e trashëgimisë shpirtnore e kulturore të ndertojmë të ardhmen e vendit tonë me stilin e përvujtërisë.

Gëzuar të gjithëve festën e pajtorit tonë, Shën Shtjefnit e të bashkohemi të gjithë në lutje për paqen. Kush do të qëndrojë deri në fund do të shelbohet, të qëndrojmë deri në fund duke shpallur të vertetën, e duke ndricuar botën me dashurinë e Zotit.

Dom Artur Jaku

 

 

 

Share:

Leave a reply

Opinion

error: Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.